Vllaznia prezantoi trajnerin e ri, Qatip Osmani. Në praninë e drejtorit sportiv të klubit, ish-tekniku tre herë kampion me Shkëndijën e Tetovës ka marrë zyrtarisht detyrën. Elvis Plori, drejtori sportiv ka folur edhe për shkarkimin e Migen Memellit, duke theksuar se për mungesë rezultatesh trajnerëve “iu pritet koka të parëve”.
“Kur mungojë rezultatet, dihet që do ketë ndërrime. Kemi bërë një zgjidhje të tillë dhe i urojmë sukses trajnerit. Kokat e para ‘i priten’ trajnerëve kur nuk ka rezultat. Të jemi të gjithë pozitivë, për të marrë maksimumin. Ne si klub, kam katër vite këtu, nuk kemi bërë shumë ndërrime trajnerësh. Katër trajnerë në katër vite, këto kanë qenë. Rezultatet të bëjnë të qëndrosh. Duhet që trajnerët të kenë një punë të qetë, t’ia ofrojmë ne, sepse ata e kanë një qetësi të fituar. Atë çka kanë bërë te Shkëndija, ta bëjnë edhe këtu. Stafi do jetë si më parë”, tha Elvis Plori.