Bashkë më presidentin Xhaferi në konferencë për mediat para sfidës me Tiranën ka qenë edhe kapiteni i Vllaznisë Robert Shestani.
“Ne po stërvitemi për ndeshjen e nesërme dhe shpresojmë ta kthejmë në një festë sportive të vërtetë. Kjo është një klasike sepse Vllaznia dhe Tirana gjithmonë kanë patur rivalitet me njëra- tjetrën. Ne e kemi vlerësuar maksimalisht këtë ndeshjes sepse Tirana fitoi ndaj Teutës kryesuese të kampionatit dhe do të mundohemi të bëjmë një lojë sa më të bukur dhe sa më dinjitoze që të kënaqim edhe publikun i cili besoj se do të jetë në shkallët e pallatit të sportit, ashtu siç ka bërë gjithmonë.” – u shpreh fillimisht Shestani.
Më tej, ai flet për skuadrën: “Vërtetë skuadra tani është më e fortë sepse janë bërë edhe shumë afrime të reja, grupi është plotësuar dhe ka më shumë rivalitet. Po ashtu, puna ka qenë e madhe gjatë kësaj periudhe për të bërë të mundur konsolidimin sa më të shpejtë të grupit dhe besoj se stafi ia ka dalë ngaqë erdhën edhe disa rezultate pozitive.”
“Nuk mund të them se jam i kënaqur edhe me atë çfarë kam dhënë deri tani pasi mundësitë janë për më shumë dhe po ashtu besoj se dhe të tjerët mund të japin më shumë. Edhe lojtarët shkodranë kanë bagazh shumë të madh dhe do të mundohemi që t’i fusim në punë dhe të japin maksimumin edhe ata”. – e mbylli në fund kapiteni i kuqebluve. /SportngaBajraktari