Ndryshimet\ Miratohet struktura e re e policisë, në fokus parandalimi i krimeve të rënda…

Shpërndaje

Pas disa muajsh diskutime, është miratuar struktura e re e Policisë së Shtetit, strukturë e cila pritet që të futet në zbatim në muajin qershor të këtij viti. Kjo strukturë është shtrirë nga Drejtoria e Përgjithshme, në drejtoritë Rajonale, komisariate, e deri në stacionet policore.

Një nga institucionet që ka pësuar ndryshime të rëndësishme është edhe drejtoria e Tiranës. Mësohet se në këtë institucion janë krijuar sektorë të veçantë në mënyrë që krimet e shtuara gjatë viteve të fundit të kenë një efikasitet më të lartë në parandalimin dhe hetimin e tyre. Tashmë Komisariati i Kavajës do t’i kalojë Durrësit, e ndërsa Tirana do të marrë Komisariatin e Krujës. Vora do të njihet si Komisariati nr.7 e ndërsa Kruja si Komisariati nr. 8. Praktikisht Tiranës i shtohen 2 komisariate. Nga ana tjetër Farka nga postë do të kthehet në stacion policor.

Krimet kibernetike kanë qenë në fokus të ndryshimeve. Është ngritur një strukturë e re për krimin kibernetik dhe një e tillë për ekzaminimet kompjuterike. Është parashikuar gjithashtu edhe një riorganizim i policisë kriminale, ku ndarja e komisariateve do të bëhet me zona policore.

Krahas krimeve të rënda, do të jetë edhe departamenti i krimeve që kanë volumin më të madh. Këtu bëhet fjalë për krimet si dhuna në familje, konfliktet banale etj. Ky departament do të jetë i ndarë nga krimet e rënda që kanë në fokus goditjen e grupeve të strukturuara kriminale.

Edhe sektori i narkotikëve pa pësuar disa ndryshime ku është rritur numri i efektivëve hetues. Nga ana tjetër krimi ekonomik nuk do të ketë më agjentë të shpërndarë në terren. Ata do të kenë zyrën e tyre në drejtorinë e Tiranës ku do të presin denoncimet e qytetarëve deri në shumën 5 milionë lekë të vjetra. Për shumat më të mëdha do të merret drejtoria e përgjithshme. Agjentet e krimit ekonomik do të përfshihen tek operacionalja e Tiranës. Në total drejtoria e Tiranës do të ketë 629 efektivë nga 639 që ka deri tani, pra 10 trupa më pak.

Shpërndaje