Hyjnë në fuqi ndryshimet e Kodit Rrugor…

Shpërndaje

Prej ditës së sotme, kush do të gjobitet nga Policia Rrugore, do të paguajë vetëm gjysmën e vlerës së gjobës nëse pagesa bëhet brenda 15 ditësh. Kjo risi është pjesë e ndryshimeve të Kodit Rrugor, të miratuar pak javë më parë në Parlament.

Gerhard Baka, specialist i trafikut, Tiranë: Kalon afati nga 5 ditor në 15 ditor, kundravajtësit i lind e drejta për ta paguar me një vlerë jo më 20 % siç ishte, por 50 % të vlerës të masës administrative të cilën ka marrë kundravajtësi.

Aplikimi i rregullave të reja ka nisur menjëherë.

Një tjetër ndryshim i miratuar ka të bëjë me patentën. Drejtuesit e mjeteve mund ta evitojnë bllokimin e lejes së drejtimit nëse paguajnë dyfishin e gjobës.

Gerhard Baka, specialist i trafikut, Tiranë: Me pëlqimin e tyre mund të pagujnë dyfishin e vlErës maksimale për sanksione të cilat kanë si masë plotësuese “pezullim leje drejtimi”.

Por shkelësit e rregullave të qarkullimit nuk do të shpëtojnë nga heqja e pikëve të patentës dhe në rast se shkeljet përsëriten, do të hyjnë në ritestim nga e para.

Gerhard Baka, specialist i trafikut, Tiranë: Në rast se ezaurohen të gjitha pikët që ne kemi në dispozicion të lejes së drejtimit, atëherë kemi të bëjmë me heqje të lejes së drejtimit dhe kjo kalon në ritestim në autoshkollë.

Ndryshimet e Kodit Rrugor parashikojnë gjithashtu që drejtuesve të rinj nuk do t’u lejohet përdorimi i makinave me fuqi motorike të lartë brenda dy viteve të para nga marrja e patentës. Po ashtu, vlefshmëria e të gjitha patentave do të zgjatet në 15 vite. 

Tv Klan

Shpërndaje