Gjykata e Posaçme e Apelit në datën 26 Prill do të marrë në shqyrtim kërkesën e bërë nga ish-ministri Arben Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij, për të hequr sekuestron ndaj vilës në Hamallaj. Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Dhimitër Lara.
Ahmetaj pretendon se vila nuk është produkt i asnjë veprimtarie kriminale dhe se pas bllokimit të saj ata janë detyruar të jetojnë në një banesë me qira.
Në ankimin e bërë nga avokati i Ahmetaj, theksoi se kontrollet e ushtruara në banesën e bashkëjetueses së deputetit, Erjola Hoxha, janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe cënojnë sovranitetin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për shkak të imunitetit të deputetit.
Vendimi për sekuestrimin e vilës në Hamallaj u bë në kuadër të hetimeve që po kryen SPAK. Kjo e fundit po heton ish-ministrin për 4 akuza, konkretisht atë korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, mosdeklarim të pasurisë dhe pastrimit të parave.