Ministrja Elisa Spiropali ka reaguar pas shpërthimit me tritol të makinës së kreut të Partisë Demokratike të Rithemelimit në Vaun e Dejës, Benard Nreca, teksa kërkon nga organet ligjzbatuese zbardhjen e ngjarjes. Në një postim në Facebook, Spiropali kërkon dënimin e autorëve, teksa shton se ky është akti i dytë kriminal në zonë, pas vendosjes së tritolit jashtë zyrave të OSHEE në Bushat
“I kërkoj organeve ligjzbatuese të zbardhin urgjentisht aktin kriminal të vendosjes së tritolit në makinën e Z.Ndreca, në Vaun e Dejës. Përgjegjësit duhet të marrin dënimin e merituar. Ky është akti i dytë kriminal në pak muaj në këtë zonë, pas vendosjes së tritolit jashtë zyrave të OSHEE në Bushat”, shkruan Spiropali.
Akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili bëri përgjegjës Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, Spiropali iu përgjigj duke i konsideruar si përpjekje për të rritur kapitalin politik.
“Është për të ardhur keq që haxhiqamilisti i Vaut të Dejës, Zef Hila, bashkë me atë të Foltores me qera te Partia e Lirisë, Sali Berisha, nuk presin rezultatet e hetimit, por lëshojnë akuza kriminale ndaj kundërshtarit për të rritur kapitalin politik që tashmë u ka shterrur. Janë të njëjtët njerëz që në 2019-ën në një akt barbar të pashembullt i vunë zjarrin shkollës në Bushat dhe dogjën materialet zgjedhore. Për veprimin e tyre kriminal Zef Hila u shkarkua nga kryetar bashkie dhe zjarrëvënësit e tjerë u arrestuan. Fatkeqësisht, drejtësi për aktin nuk u bë. Dosja u mbyll. E inkurajoj policinë dhe prokurorinë të mos stepen nga sulmet politike, por të bëjnë detyrën deri në zbardhjen e hollësishme të aktit të sotëm dhe vendosjen para drejtësisë të përgjegjësve”, shton Spiropali.
Ngjarja ndodhi rreth orës 07:10 në fshatin Paçram, ku lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e përparme të mjetit tip “Audi” të Nrecës, ndërsa shpërtheu sapo ai u fut në automjet. Fatmirësisht ai nuk pësoi lëndime nga shpërthimi, ndërsa ngjarja nuk është zbardhur ende.