Realiteti Post ka siguruar pamjet nga kamerat e sigurisë të vendosura në banesën e kryetarit të Partisë Demokratike të Vaut te Dejës, Benard Ndreca.
Nga këto pamje mund të shihet qartë sesi gjatë natës dy persona kanë vendosur lëndën shpërthyese në automjet dhe më pas, me të zbardhur dita, Ndreca i ka hipur automjetit dhe pas ndezjes ka ndodhur shpërthimi.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi në orët e mëngjesit të së martës në oborrin e banesës në fshatin Paçram.
Fatmirësisht, nga shpërthimi i tritolit që ishte vendosur në pjesën e përparme të autoveturës tip “Audi”, Ndreca nuk ka marrë dëmtime, ndërsa dëmet materiale të mjetit janë të konsiderueshme.
Ngjarja vjen vetëm një ditë pasi anëtarët e PD-së të përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj në këshillin bashkiak të Vaut të Dejës kanë shprehur mbështetjen e tyre për kandidatin e propozuar nga grupi i Rithemelimit të PD-së të drejtuar nga Sali Berisha.
Ky i fundit, në një deklaratë për mediat, u shpreh mesditën e së martës se “autorë” të këtij atentati janë kryeministri Edi Rama dhe ministri Çuçi.