Vllaznia rikthehet te fitorja, mposht Erzenin në “Loro Boriçi”…

Shpërndaje

Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategoria Superiore, ka nisur të dielën fazën e saj të 4-t dhe të fundit të këtij sezoni. E ndërsa ndeshja e parë, ajo midis Kastriotit dhe Bylisit, është shtyrë, në mbrëmje janë luajtur dy ndeshjet e tjera të javës së 28-të dhe, në Shkodër, Vllaznia ka pritur Erzenin, ndërsa Laçi ka qenë mysafir në Durrës, për t’u përballur me Teutën. Në ndeshjen e zhvilluar në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, aty ku skuadra vendase erdhi me një emër të ri në stol, teksa maqedonasi Goçe Sedloski ka zënë vendin e lënë bosh nga largimi i Mirel Josës, kanë qenë kuqeblutë që e kanë mbizotëruar plotësisht lojën, duke e zhvendosur atë në gjysmëfushën kundërshtare.

Dhe, pas rasteve të shumta të ndërtuara dhe të shpërdoruara nga shkodranët, teksa Erzeni mbrohet dhe mundohet të godasë me kundërsulme, do të jetë Herald Marku që do të godasë fort dhe saktë nga larg dhe do të përshëndetë rrjetën e shijakasve, duke e kaluar Vllazninë në epërsi.

Me epërsinë minimale të vendasve do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta do të shohë Vllazninë që gjejë edhe një gol të dytë në minutën e 53-të, me autor Latifin, që godet saktë brenda zonës dhe mposht gardianin mik.

Por Erzeni nuk do të dorëzohet dhe, 15 minuta para fundit të kohës së rregullt, Patrik Nonato do të shkurtojë shifrat për miqtë.

Megjithatë, Fjoart Jonuzi do të qetësojë nervat e vendasve në minutën e 86-të, duke gjetur edhe golin e 3-të, që vulos fitoren e Vllaznisë ndaj Erzenit me shifrat 3-1.

Shpërndaje