Deputeti i Partisë Socialiste Petro Koçi i ftuar në studion e Neës24 ka folur në lidhje me një sërë çështjesh, ndërsa ka komentuar situatën para zgjedhjeve të 14 majit.
Sipas Koçit PS hyn në këto zgjedhje “më e qetë se kurrë” edhe pse deklaroi se ka sfida delikate në disa bashki, ku theksoi atë të Shkodrës që gjithmonë ka qenë një bastion i demokratëve.
Ai shtoi se socialistët kanë një makineri organizative elektorale perfekte duke iu referuar patronazhistëve dhe aplikacionit “Akt1vist”, ku ai vetë tha se do jetë patronazhisti i 2000 personave në zonën e Kombintatit në kryeqytet, të cilët tha se do i marrë në telefon të gjithë për t’i bindur të votojnë PS-në.
“Ne ndihemi më të qetë se kurrë në këto zgjedhje, janë si zgjedhjet në 2019, nuk ka kundërshtarë të vërtetë. Do kemi kundërshtarë de-juro por jo de-facto. Janë dy faktorë që ndikojnë në këtë situatë përtej analizave dhe performancës. E para është braktisja që i bëri PD zgjedhjeve të 2019-ës, kjo e kompromenton PD-në. E ka të vështirë të promovojë projekte dhe programe nga hiçi, PS e bazon fushatën në arritjet e viteve të fundit.
Nuk është se trembemi në ndonjë qark, por ka sfida më pikante dhe delikate si në rastin e Shkodrës, ka gjasa të fitojmë por duhet angazhim maksimal që sërish nuk do mjaftojë.
Kemi një makineri organizative elektorale perfekte. Kundërshtari kur e sulmon i bën reklamë. Aktivisti dhe patronazhistët le të çohen në SPAK, nëse nuk shkel ligjin nuk kemi pse trembemi. Patronazhisti merr përsipër skanimin e një pjese të listës zgjedhore për të përcaktuar me kë parti është dikush dhe punon me një pjesë që është e lëkundur për ta bindur drejt PS-së. Unë do jem patronazhisti i 2000 vetëve vetë, do i marr numër për numër në Kombinat.
Raporti i DASH për korrupsionin është realist, kjo çështjes është shqetësim dhe prioritet për qeverinë. Duhet ashpërsuar dhe mbështetur dënimi i çdo rasti korrupsioni në vend. Vendimet që merren në qeverisje kanë dimensionin e drejtësisë dhe të respektit të kritereve morale të fenomeneve. Vulën e vërtetë e vë drejtësia dhe unë shpresoj se gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Unë jam i pakënaqur dhe mendoj se korrupsioni nuk është vetëm politik, por fenomen kulturor. Për mua duhet të ketë dënim oligarkësh që të ketë ndikim më të madh”, u shpreh ai.