Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha sot se “sportistët tanë kanë arritur rezultate të larta dhe kjo sigurisht në radhë të parë është falë meritës së tyre, falë talentit, sakrificës së tyre, por natyrisht sot sporti është edhe prioritet i qeverisë”.
Në fjalën e saj në ceremoninë e gradimit ushtarak të kampionëve olimpikë, botërorë e europianë, të cilët prej sot i përkasin për tërë jetën Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Kushi theksoi se “teksa përgatiteshim për këtë ceremoni m’u kujtuan të gjithë ata sportistë elitarë që ndër vite detyroheshin për shkak të kushteve të vështira të garonin për flamurin e vendeve të tjera, jo se ata e donin më pak Shqipërinë, jo se ata e respektonin më pak flamurin tonë kuqezi, përkundrazi ata e donin më shumë se ne, por ata u detyruan se ishte e pamundur të ndiqnin ëndrrën e tyre, pasionin e tyre, në kushtet këtu në Shqipëri”.
“Nuk ishte shumë e largët ajo kohë kur sportistët tanë elitarë e kishin të pamundur të stërviteshin e jo më të shpërbleheshin me nder e dinjitet dhe me shpërblime dinjitoze, por nuk kishin as kushtet minimale për të bërë stërvitje. Ndërkohë që sot kemi një realitet krejt tjetër”, tha Kushi.
Ministrja Kushi u shpreh se “sot kemi një kuadër ligjor të përmirësuar, të përafruar me BE, sot kemi një vendim të Këshillit të Ministrave që i shpërblen me dinjitet sportistët tanë elitarë, ashtu sikurse trajnerët e tyre. Sot kemi një infrastrukturë të përmirësuar ashtu sikurse jemi të vetëdijshëm, që duhet ne të punojmë dhe ne kemi plane konkrete ne i vlerësojmë sportistët elitarë. Por unë e them gjithmonë se asnjë shpërblim monetar nuk e zëvendëson vlerësimin, mirënjohjen me respekt e dinjitet”.
“Sot arrijmë në nivelin më të lartë të vlerësimit me respekt të sportistëve tanë elitarë. Falë ligjit të ri të Ministrisë së Mbrojtjes sportistët tanë elitarë, kampionët tanë jo vetëm që janë pjesë e FA do të kenë edhe gradat honorifike. Falë këmbënguljes së Kryeministrit do t’i kenë edhe përtej angazhimit të tyre si sportistë elitarë”, tha Kushi.
Ministrja Kushi theksoi se “të jesh pjesë e Forcave të Armatosura është nder, privilegj, por edhe përgjegjësi e madhe. Jam e bindur që kampionët tanë do ta nderojnë edhe më shumë këtë titull dhe nderim që ne po i bëjmë dhe do të vazhdojnë të jenë frymëzim për brezin e ri, jo vetëm si sportistë elitarë, por edhe përfaqësues të FA me grada honorifike me këtë mision kaq të lartë të atdheut”.