Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi kandidatët që do të garojnë për kryetar në 11 bashkitë kryesore në lokalet e 14 Majit.
Beteja më e fortë do të jetë e përqendruar në Tiranë, për shkak edhe të numrit të madh të kandidatëve që janë përballë njëri-tjetrit, ku në garë marrin pjesë 6 përfaqësues.
Kështu, Kryebashkiaku Erjon Veliaj kërkon një mandat të tretë për socialistët, ndërsa demokrati Belind Këlliçi vjen në këto zgjedhje pas lënies së mandatit të deputetit, që garon nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Roland Bejko garon me siglën e Partisë Demokratike për grupimin e Enkelejd Alibeajt. Arlind Qorri për “Lëvizjen Bashkë”, Lajla Përnaska për Partinë Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe Marko Dajti për “Frontin e Majtë”.
Durrësi është një tjetër bashki ku mazhoranca kërkon rikonfirmimin e Emirjana Sakos, ndërsa demokratët e Berishës duan fitoren përmes ish-deputetit Igli Cara.
Në Elbasan gara do përqendrohet vetëm mes dy kandidatëve, Gledian Llatjas për socialistët dhe ish-deputeti i PD-së, Luciano Boçi. Në Shkodër përballë njëri-tjetrit në 14 Maj do të jenë kryetari actual i bashkisë Bardh Spahia dhe ish-deputeti socialist Benet Beci.
Në Fier, Armando Subashi i Partisë Socialiste do të sfidohet nga Edvar Kodheli i koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe Eriselda Çelaj e grupimit të Alibeajt.
Në Kamzë, socialisti Rakip Suli sfidohet nga Arjan Hoxha i koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe Bilbil Bajraktari i grupimit të Alibeajt.
E teksa KQZ ndezi dritën jeshile për kandidatët në 11 bashkitë kryesore, Komisioneri Shtetëror ilirjan Celibashi nga një tjetër takim u shpreh se në listat e kandidatëve për këshillat bashkiakë rezultonin emra që ishin pjesë e tre subjekteve politike të ndryshme dhe se mes tyre kishte edhe nga ata që nuk e dinin se ishin kandiduar.
Tiranë
Erion Veliaj-Partia Socialiste
Belind Këlliçi-“Bashkë Fitojmë”
Roland Bejko-Partia Demokratike
Arlind Qori-“Lëvizja Bashkë”
Marko Dajti-“Fronti i Majtë”
Lajla Pernaska-“Drejtësi Integrim dhe Unitet”
Durrës
Emiriana Sako-Partia Socialiste
Igli Cara-“Bashkë Fitojmë”
Elbasan
Gledian Llatja-Partia Socialiste
Luçiano Boçi-“Bashkë Fitojmë”
Shkodër
Benet Beci-Partia Socialiste
Bardh Spahia-“Bashkë Fitojmë”
Fier
Armando Subashi-Partia Socialiste
Edvar Kodheli-“Bashkë Fitojmë”
Eriselda Çelaj-Partia Demokratike
Kamëz
Rakip Suli-Partia Socialiste
Arjan Hoxha-“Bashkë Fitojmë”
Bilbil Bajraktari-Partia Demokratike
Tv Klan