Nga prilli i 2024, një mësues i shkollës së mesme do të ketë një pagë ku minimumi do të jetë 95.550 lekë, e ndërsa ato në gjimnaze 106800 lekë. Kreu i qeverisë, Edi Rama nën shoqërinë e ministres së Arsimit, Evis Kushi tha se procesi i rritjes së pagës për mësuesit do të bëhen në 2 hapa, ku baza do të jetë në këtë nivele, e ndërsa do të ketë gjithashtu edhe një shtesë për vjetërsinë e punës që ka secili prej tyre.
“Në hapin tjetër që do të thotë vitin e ardhshëm, paga juaj do të kapërcejë në një tjetër nivel. Pra nëse sot që flasim rritja mujore do të jetë mes 3500 për mësuesit e shkollës 9-vjecare, 3843 për të mesme dhe deri në 5800 për drejtuesit që të bërtasin më shumë, tek rritja e përgjithshme, mësuesit në shkollën 9-vjecare do të kenë një pagë 95.550. Mësuesit në shkollën e mesme do e kenë 106800 lekë. Këto janë bazat pastaj ka sipas vjetërsisë e kualifikimeve që variojnë por ky është niveli i pagës së mësuesve”, tha Rama.
Kjo rritje pagash, tha kreu i qeverisë, është e parashikuar që të ndodh brenda 1 viti. Rama u kujdes të theksonte se pagat do të rriten për shkak të rritjes ekonomike që ka pësuar vendi, duke mos prekur borxhin publik.
“Jemi në një fazë të re, e rëndësishme është që të rrisim pagat aq ndjeshëm, por do të ulim borxhin publik, pra nuk është një rritje që merret me borxh dhe të jeni të bindur që kjo rritje pagash do sjellë më shumë motivim dhe përkushtim për punën e të gjithëve. Dhe privati do duhet të rishikojë punën e tij. Plani do paraqitet publikisht dhe sipas kategorive do të bëhet në këto faza dhe i gjithë do bëhet nga prilli në prill”, tha Rama.