Katër alpinistë serbë janë shpëtuar nga Efektivët e Forcës Ajrore pasi mbetën të bllokuar gjatë kalimit nga Valbona në Theth. Nëpërmjet një njoftimi, Policia bën me dije se njëri prej tyre ka mbetur i lënduar, pasi ishte rrëzuar në malin e Jezercës dhe e kishte të pamundur lëvizjen, për shkak se kishte dëmtuar gjymtyrët. Ai është dërguar drejt QSUT ku ndodhet nën kujdesin e mjekësve, ndërsa fatmirësisht 3 alpinistët e tjerë ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas Policisë, Në operacionin e kërkim-shpëtimit u angazhuan 50 forca policore nga Komisariati i Policisë Tropojë, Njësia Alpine e Reneas, forcat ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një ekip mjekësor i Ministrisë së Shëndetësisë.
Për shkak të terrenit shumë të vështirë malor dhe me dëborë, transportimi i alpinistit të lënduar drejt QSUT është bërë me helikopter.