Policia Rrugore e Tiranës ka pezulluar për 12 muaj lejen e drejtimit të një shoferi që ndiqte ambulancën. Policia raporton se ambulanca ishte në shërbim emergjence në momentin që drejtuesi i mjetit e ka ndjekur me qëllim shfrytëzimin e lehtësisë në qarkullim.
“Policia Rrugore e Tiranës në vijim të kontrolleve të ushtruara për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, në rrugën interurbane Durrës-Tiranë, ka konstatuar dhe ndaluar një automjet që ndiqte ambulancën e cila ishte në shërbim emergjence”, thuhet në njoftim.
Si pasojë, drejtuesit i është pezulluar leja e drejtimit të mjetit për 12 muaj dhe është gjobitur me 30000 lekë të rinj.