Parandalimi i përmbytjeve, vjet u shpenzuan 11 mln USD për ndërtimin e 28 objekteve, përfundojnë në 2023 edhe 15 punime…

Shpërndaje

Vitet e fundit në muajt e dimrit ka pasur ripërsëritje me situatën e përmbytjeve të tokave. Zonat më të prekura janë Lezha dhe Shkodra, ku shpesh herë sipas ekspertëve kullimi i dobët apo ndryshimi i formateve të përdorimit të tokës, vlerësohen arsyet e rritjes së riskut.

Si masë parandaluese nga përmbytjet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me buxhetin e vitit 2022 ka investuar rreth 11 milionë USD për rehabilitimin e kanaleve ujitëse, argjinaturave dhe hidrovoreve.

Në total sipas raportit të monitorimit për buxhetin 2022 janë investuar 1,1 miliardë lekë për 43 objekteve, nga të cilat, 28 kanë përfunduar brenda vitit, ndërsa 15, janë objekte në vazhdim dhe përfundojnë në vitin 2023.

Konkretisht në ujitje janë financuar 15 objekte me vlerë 223 milion lekë, nga të cilët 13 kanë përfunduar, ndërsa 2 përfundojnë në vitin 2023.

Nëpërmjet këtyre investimeve është mundësuar rehabilitimi i kanaleve kryesor ujitës, për përmirësimin e ujitjes në rreth 10,000 ha, duke garantuar furnizimin me ujë të kanaleve sekondar në administrim të bashkive Korçë, Elbasan, Vlorë, Lezhë dhe Vau i Dejës.

Në mbrojtje nga përmbytja janë financuar 24 objekte, me vlerë 595 milion lekë, nga të cilët 13 kanë përfunduar, ndërsa 11 përfundojnë në vitin 2023.

Me këto investime sipas raportit të Ministrisë së Bujqësisë është mundësuar rehabilitimi i rreth 15 km argjinatura për mbrojtjen nga gërryerja dhe përmbytja të tokave bujqësore dhe zonave të banuara, më të ekspozuara nga rreziku i përmbytjeve lumore, kryesisht në lumin Buna në Bahçallëk, Dajç dhe Daragjat, në lumin Kir në fshatin Bardhaj, në bashkinë Shkodër, në lumin Osum në Uznovë, Arrëz dhe Gegë, në bashkitë Berat dhe Kuçovë, në lumin Vjosa në Bishan, Kafaraj dhe Selenicë, në bashkitë Vlorë, Fier dhe Selenice, në lumin Shkumbin, në Muriqan dhe Elbasan, në bashkitë Cërrik dhe Elbasan, në lumin Fan, në fshatin Rreth i Epërm, në bashkinë Mirditë etj.

Në hidrovore janë financuar 4 hidrovore, me vlerë 253 milion lekë, nga të cilët 2 kanë përfunduar, ndërsa 2 përfundojnë në vitin 2023. Në raport theksohet se në 2 hidrovorë Balldre në Lezhë dhe Drojë në Kurbin, kanë përfunduar punimet për rehabilitimin.

Ndërsa, për rikonstruksionin e plotë të hidrovorit të Karavastasë, që kullon rreth 7,000 ha në bashkitë Divjakë e Lushnje dhe hidrovorit të Akërnisë në Vlorë, që kullon 4,600 ha (ku dhe po ndërtohet Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës), punimet do të përfundojnë gjatë vitit 2023.

Me shpenzimet operative rreth 426 milion lekë është mundësuar: mirëmbajtja/përmirësimi i kullimit në rreth 50,000 ha (si proces ciklik i mirëmbajtjes vjetore), nëpërmjet lëvizjes së rreth 1,8 milion m3 dhera (në rreth 250 km kanale kryesor); përmirësimi i ujitjes në rreth 25,000 ha dhe vënia në funksion i veprave të marrjes së ujit për skemat kryesore të ujitjes.

Gjatë periudhave me reshje shiu ministria e Bujqësisë thekson se janë kryer remontet vjetore të hidrovore si dhe mbajtja në funksionim të plotë të 27 hidrovoreve./Monitor/

Shpërndaje