Shqipëri-Francë, Policia e Shtetit publikon masat e marra

Shpërndaje

Masat e marra nga Policia e Shtetit, për zhvillimin e ndeshjes Shqipëri-Francë, në datën 17.11.2019

Policia e Shtetit njofton se në datën 17.11.2019, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare” Tiranë, do të zhvillohet ndeshja ndërkombëtare e futbollit midis Shqipërisë dhe Francës, e vlefshme për eleminatorët e Kampionatit Europian të Futbollit “Euro 2020”.

Në kuadër të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe struktura të tjera të Policisë do të marrin një sërë masash teknike dhe organizative në një zonë më të gjerë se perimiteri i stadiumit, me qëllim sigurimin e rendit dhe të sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit, duke synuar jo vetëm mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, por edhe krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për qytetarët, brenda në stadium dhe në qytetin e Tiranës.

Në kuadër të këtyre masave të parashikuara, informojmë qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm, tifozërinë vendase, atë të ardhur nga treva të tjera dhe tifozërinë e ekipit të Francës, që do të ndjekin ndeshjen në stadiumin “Arena Kombëtare”, se për mbarëvajtjen normale të aktivitetit sportiv do të merren disa masa ndaluese dhe kufizuese mbi qarkullimin dhe parkimin e automjeteve në afërsi të stadiumit dhe në akset rrugore që lidhen me të, si më poshtë:

Për lëvizjen e automjeteve në zonën në afërsi të stadiumit “Arena Kombëtare”, do të jenë të lira vetëm akset rrugore “Rruga e Elbasanit” dhe Unaza, në të dy drejtimet e lëvizjes së saj. Në të gjitha rrugët hyrëse në këtë zonë nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve.

Parkimi dhe qëndrimi i automjeteve në zonën e mësipërme nuk do të lejohet. Të gjitha automjetet që janë të parkuara brenda zonës së mësipërme, nga ora 12:00 e datës 17.11.2019 duhet të largohen.

Automjetet e autorizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit duhet të jenë të pajisura me shenjën dalluese në xhamin e përparmë dhe do të hyjnë nëpërmjet bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek Ura e Lanës, Libri Universitar dhe Presidenca, me drejtim sheshin “Nënë Tereza” – Rektorati i UT. Në këtë pikë kontrolli për të gjitha automjetet do të bëhet kontrolli antieksploziv i tyre.

Për parkim të automjeteve në qytetin e Tiranës do të përdoren këto vende:

• Automjetet që vijnë nga Elbasani: autobuzat do të parkohen në sheshin e lokal “Calvin”, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë Fakultetit Ekonomik.
• Automjetet që vijnë nga Rruga e Durrësit: autobuzat do të parkohen tek ish-dogana, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, si dhe te parkingu nëntokësor në sheshin “Skënderbej”.
• Automjetet që vijnë nga “Rruga e Kavajës”: autobuzat do të parkohen në Kombinat – Qyteti i Nxënësve, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.

Pikat e kontrollit dhe orientimi i tifozërisë:

Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, Policia e Shtetit do të bllokojë nga ora 17:30 të gjithë zonën rreth stadiumit “Arena Kombëtare”. Për këtë do të ngrihen pika kontrolli, për të orientuar tifozërinë që sipas sektorëve të biletave të drejtohen për hyrjen në stadium dhe konkretisht:

  1. Pika e kontrollit midis Rektoratit dhe Mak Albania Hotel: do të hyjnë vetëm tifozët francezë me biletën në sektorin“S” (Jug), si dhe automjetet e autorizuara nga FSHF-ja.
  2. Pika e kontrollit tek kolonat midis Rektoratit dhe Muzeut Arkeologjik: do të hyjnë vetëm tifozët VIP me biletën në sektorin“Ë” (Perëndim).
  3. Pika e kontrollit midis Pallatit të Kongreseve dhe Hotel Rogner: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“N” (Veri).
  4. Pika e Kontrollit tek COIN: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“N” (Veri).
  5. Pika e Kontrollit tek “Piceri Fiore” në rrugën “Dervish Hima”: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“E” (Lindje).

Për të qartësuar qytetarët, orientimi i sektorit ku ata kanë biletën, të bëhet sipas specimentit bashkëlidhur njoftimit.

Parkingu i automjeteve në pjesën lindore të stadiumit “Arena Kombëtare”, në datën 17.11.2019, nuk do të funksionojë dhe nuk duhet të mbahen automjete të parkuara gjatë kësaj date.

Aktiviteti sportiv është parashikuar të fillojë në orën 20:45 dhe hyrja e tifozerisë, me qëllim shmangien e konfuzionit, do të nisë në orën 18:30. Ftojmë qytetarët të afrohen pas kësaj ore për të hyrë në stadium dhe mos ta lënë për minutat e fundit.

Kërkojmë mirëkuptimin e sportdashësve që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, në respektimin dhe zbatimin e këtyre masave, si dhe pajisjen me biletë dhe dokument identifikimi, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarreve, monedhave apo sendeve metalike, pasi do të kontrollohen fizikisht të gjithë. Edhe automjetet e autorizuara nga FSHF-ja për parkim në parkimin nëntokësor përreth stadiumit do të kontrollohen në hyrje tek pika e kontrollit tek Rektorati.

Njoftojmë qytetarët shqiptarë se kanë hyrë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, në bazë të të cilit klasifikohen vepra penale veprimet e parashikuara në nenin 274/a “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportive” dhe dënohen deri në tre vjet burgim, si dhe konsiderohen vepra penale “Veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive”, të parashikuara në nenin 274/b, si hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e komunitetit dhe të drejtuesve të automjeteve, të shmangin zonën ku zhvillohet aktiviteti sportiv duke përdorur akse dhe drejtime të tjera lëvizjeje, pasi do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar në mbarëvajtjen dhe garantimin e masave të sigurisë.

Falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin.

Shpërndaje