Femra jonë është e ‘lirë’ t’i nënshtrohet burrit dhe të zhvishet nëpër spektakle për t’i joshur meshkujt!?

Shpërndaje

Nga Kim Mehmeti

E tmerrshme dhe e pabesueshme: në Prishtinë burri vret gruan e vet shtatzënë!

Mediat thonë se shtatzëna, që nuk arriti të bëhet nënë, është vrarë aty ku do duhej të ishte më e mbrojtur: në një institucion shtetëror – në oborrin e QKUK’së në Prishtinë.

Dhe si gjithmonë, tani do fillojë dënesja kolektive si dhe kuvendet mediatike që do ‘qartësojnë’ atë që dihet: në shoqëritë shqiptare meshkujt janë të prapambetur, e jo gratë!

Në të vërtet meshkujt e sotëm rriten në hapësirën që ndanë të djeshmen që u thotë se gruaja është ‘pronë’ e tyre dhe të sotmes përplot me spektakle shthurëse që femrën e shpërfaqin si ‘mish’ joshës që vlen vetëm aq sa mund të ndjellë epshet mashkullore.

Kështu që ne u bëmë shoqëri ku shumëçka ndryshoi por jo edhe bindja e shumicës së meshkujve se burrërorja dëshmohet nëpërmjet nënshtrimit të ‘pronës’ së quajtur grua.

Andaj, sot ka ma pak burrërie e më shumë egërsi mashkullore se kurdo qoftë më pare. Ka më pakë burrëri se edhe atëherë kur ishim më të ‘prapambetur’, kur kjo shqiptari nuk kishte kaq organizata feministe dhe joqeveritare që ‘mbrojnë’ gruan saç ka sot, por kishte një Institucion që e mbronte femrën si shenjtëri – Familjen!

Po, mediat raportojnë edhe për një vrasje makabre të një gruaje. Dhe të rrëqethur e të ngërthyer në dhembje, ne do e vajtojmë edh atë si gjitha të mëparshmet, por pa e thënë të vërtetën se nuk është vetëm dora e burrave monstra ajo që ua morri jetën këtyre grave fatkeqe: ato i vrau një shoqëri ku gruaja mund ta jetojë ‘lirshëm’ barazinë gjinore – por kryesisht vetëm nëse u nënshtrohet meshkujve, apo vetëm si pjesëtare e spektakleve ku zhvishet për t’i joshur dhe zbavitur burrat!

Shpërndaje