Hafiz Adem Kazazi (1880-1944), Fetar i devotshëm, humanitar dhe atdhetar…

Shpërndaje

Shtëpia e Kazazëve është pasqyruar në dokumente e krijimtari si dhe në kujtesën e popullore si shtëpi “hanedane”, “shtëpi hanedane madhe” për bujrari, mikpritje e bamirësi si dhe për sjellje e akte fisnikërie qytetare.

Paraqitja e përmbledhur e vlerave historiko atdhetare e shoqërore qytetare të kësaj familjeje nuk do të ishte e plotë, po të mos vihej në dukje edhe kontributi fetar, ndikimi që ajo shtroi edhe në këtë aspekt të rëndësishëm parësor të jetës shpirtërore.

Në këtë atmosferë historike, shoqërore e familjare, në kushtet e rrethanat e vështira e të ndërlikuara të epokës, në përpjekjet për liri e përparim, lindi, u rrit, u formua dhe veproi Hafiz Adem Kazazi, nipi i Hamz Kazazit, djali i Bektash agë Kazazit.

Ai lindi më 12 shtator 1880 në lagjen Parrucë të Shkodrës. Që në fëmijëri e në vitet e mëvonshme ai gradualisht u njoh me besën, burrërinë, mikpritjen dhe atdhetarizmin familjar shkodran dhe atë shqiptar. Ai vërejti kontaktet e gjera që kishte gjyshi, babai e kushërinjtë me qytetin, fshatrat e malësinë, si dhe më gjerë, dëgjoi bisedat që zhvilloheshin e mendimet që shpreheshin, mësoi vendimet që merreshin. Të gjitha këto, së bashku me shkollimin, ndikuan në formimin e tij të përgjithshëm kulturor, atdhetar e fetar.

Arsimimi i fëmijës dhe i të riut Adem Kazazi kaloi në shkollat e njohura të kohës, të mejtepit e të medresesë, në vendlindje dhe në atë të lartë në Stamboll të Turqisë. Ai frekuentoi dhe mbaroi si moshatarët mejtepin e përmendur të Molla Medo Sukniqit pranë xhamisë Plakë, që konsiderohej më masivi, më i organizuari, më seriozi dhe më i dalluari për kohën. Për të kanë shfaqur vlerësime studiues të ndryshëm të historisë së arsimit duke e quajtur “mësues të dalluar” ose “Ndër më të njohurit ishte ai i Molla Medos”. Në mejtep Ademi mësoi shkrim këndim, lëndë fetare, gjuhë arabe për të kuptuar e përdorur Kur’anin në ritet e detyruara e disa njohuri fillestare aritmetike, historike, gjeografike e të diturisë së natyrës. Që në këtë moshë ai filloi të shfaqë dëshirë e vullnet për të mësuar bazat e besimit islam.

Kjo kombinoi me traditën e krijuar në Shkodër, që familjet e njohura caktonin një të ri të fisit që të merrej me arsimimin e mëtejshëm fetar, që të ushtronte misionin për t’i shërbyer fesë. Leximi apo dëgjimi i biografive të hoxhallarëve, të myderrizëve, të vaizëve, të imamëve e të myezinëve tregon se pjesa dërmuese e tyre vinin nga familje të vjetra shkodrane. Këtë e vërteton edhe personaliteti i shquar fetar me origjinë nga Shkodra, Imam Vehbi Ismaili, ish-Kryetar i Komunitetit Mysliman të shqiptarëve të Amerikës e të Kanadasë, i cili ka shkruar: “Familjet e mira të Shkodrës e kishin për nder që një prej bijve të tyre të bëhej fetar, hoxhë dhe këtë e quajshin për mburrje. E mbanin veten shumë elegantë në veshje, në të vërtetë shumica e hoxhallarëve të Shkodrës dalloheshin në këtë pikëpamje, se vinin nga familje të pasura”.

Ai u mësua dhe u edukua nga myderrizë të shquar, si: Myrteza Ef. Shoshi, Salih Ef. i madh, Ahmet Ef Basha, Molla Ahmet Hadri, H. Selim Ef. Shiroka, Hasan Ef. Podgorica, Haxhi Sheh Shamia, H. Ibrahim Kraja etj.

Ai pati bashkënxënës Sheh Ali Krujën, H. Ibrahim Kadukun, Sali Myftinë, H. Sheuqet Boriçin etj., që do të bëheshin më vonë kuadro tepër të nderuar, drejtues fetarë, myderrizë e vaizë, që kanë vepruar me kompetencë për edukimin e besimtarëve, disa prej tyre edhe në rrethe të ndryshme të vendit, si edhe në diasporë. Do të ishin këta kuadro, që do të mbanin gjallë traditën Islame, që do ta çonin atë më tej, që do t’i krijonin asaj nder e lavdi të re.

Arsimimi i H. Ademit nuk u ndal me kaq, ai vazhdoi studimet në Medresenë e Lartë në Stamboll, të cilat i përfundoi më 1915, duke pasur të gjitha kushtet e nevojshme financiare e intelektuale.

Studimet e larta në Stamboll, Ademi i shfrytëzoi në disa drejtime: në fitimin e titullit “hafiz”, në formimin e tij të përgjithshëm teologjik, në probleme mistike, si dhe për njohjen e shërimin e disa sëmundjeve psikike. Në Stamboll ai fitoi edhe kulturë të gjerë, të përgjithshme, u njoh me arritjet e kohës në fusha të ndryshme, vizitoi e vlerësoi monumentet e rralla historike e kulturore të kryeqytetit, pati takime me personalitete te përmendura intelektuale, që ndikuan për zgjerimin e horizontit kulturor. Gjatë qëndrimit në Stamboll Ademi shfrytëzoi rastet për t’u njohur, për t’u lidhur, për t’u miqësuar e për të bashkëpunuar me shqiptarët që punonin, shërbenin e studionin në kryeqytetin e Perandorisë Osmane. Tek ata ai gjeti përkrahje e mbështetje në përpjekjet për kompletimin e formimit të tij.

Kujtesa popullore ka përcjellur se pas përfundimit të studimeve, siç u ka ndodhur edhe shqiptarëve të tjerë, Hafiz Ademit i propozuan të qëndronte e të punonte në Stamboll, duke i ofruar detyra te rëndësishme. Për këtë kundërshtimi tij ka qenë i vendosur: “Unë kam ardhur këtu për të mësuar e jo për të bërë karrierë, puna më pret në vendin tim. Shqipëria ka nevojë për ne, do të kthehem në atdhe për të qenë me gjithë shpirt pranë besimtarëve islamë”. E s’mund të ndodhte ndryshe, ai ecte në traditën e fisit, të bashkëqytetarëve e të bashkatdhetarëve të tjerë, do ta pasuronte atë në dobi të popullit e të vendit të vet. U kthye në Shqipëri një tjetër hoxhë i ditur, i kulturuar dhe i arsimuar si duhet. Më vonë ai kreu edhe detyrën e haxhit në Qabe, së bashku me hoxhallarë e besimtarë të tjerë. Pelegrinazhi në Qabe ia shtoi përkushtimin, ia rriti frymëzimin dhe e bëri më të vendosur në rrugën e zgjedhur. Shërbeu në vendlindje derisa vdiq. Nuk pati detyra zyrtare, nuk pranoi detyra me përgjegjësi, nuk shfaqi dëshirë për karrierë. Për të ishin të huaja mburrja e krenaria, shquhej për thjeshtësi e mirësjellje.

Duke mos pasur funksione, veprimtaria e ndihmesa e tij është e lidhur me konsideratat që kanë pasur e shprehur të tjerët për të, besimtarët, populli e studiuesit për karakterin e personalitetin e tij.

Hafiz Adem Kazazi vdiq më 14 maj 1944. Vdekja e tij shkaktoi hidhërim të thellë popullor. Një tablo të qartë të kësaj gjendjeje prekëse, emocionale qytetare na e jep një përshkrim konkret shkruar në atë kohë: “Neve jemi të Zotit dhe tek Ai do të kthehemi. Tash së fundi u shkëput nga gjiri i familjes i ndjeri Hafiz Adem Kazazi. Shkëputja e tij nga kjo botë e rrejshme nuk pikëlloi vetëm familjen e tij, që kryesonte, por helmoi mbarë qytetin tonë. I tanë qyteti në këtë çast u mbulue prej nji reje të errët të padepërtueshme, …prej së cilës piklojnë disa pikla uji, dergje-dhanëse, tek çdo lloj fruti… Sot myslimani i mbuluem me rrobën e tij të zezë rënkon për humbjen e vllaut të dorës së djathtë të tij, sot kristiani i pezmatuam për daljen nga dora të nji bamirësi të këtillë, me dënesë thotë: – Pastë rahmet hafiz Ademi!

Autoriteti e popullariteti në popull, si dhe biblioteka e pasur, janë tregues të dëshirës dhe të vullnetit të kulturuar nga shkollat dhe studimet e kryera dhe azhurnimi i tij i vazhdueshëm me të rejat e botimet më të fundit, brenda dhe jashtë vendit. Kësaj i ka ndihmuar edhe zotërimi i arabishtes, turqishtes, persishtes e frëngjishtes.

Ai ishte një nga hoxhallarët ngulmues për të zhvilluar ceremonitë fetare në gjuhën shqipe, pasi populli nuk e dinte gjuhën arabe. Për këtë jepte shembull personal dhe ndikonte edhe tek hoxhallarët e tjerë duke arsyetuar: “Nëpërmjet gjuhës shqipe, që edhe kjo është gjuhë e Zotit (xh. sh.), besimtarët shqiptarë e kanë të lehtë të marrin njohuri fetare mbi Krijuesin, mbi Profetin Muhamed (a.s.), mbi Kur’anin e bekuar e mbi të gjitha rregullat e detyrimet fetare islame”. Kjo kishte domethënie të madhe, sepse mësimet fetare predikoheshin, kuptoheshin e zbatoheshin në mënyrë të ndërgjegjshme.

Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar (1990-2003, H. Hafiz Sabri Koçi, që e njihte nga afër Hafiz Adem Kazazin, kishte përshtypje e mbresa të drejtpërdrejta për të, ishte dëshmitar i opinionit qytetar për të, shfaqte këto konsiderata për personalitetin e tij: “Hafiz Adem Kazazi ishte një intelektual i mirëfilltë islam. Kishte cilësi të mira, ishte i edukuar me një moral të lartë e këtë e tregonte në sjelljen e tij shembullore.

Duke pasur një gjendje të mirë ekonomike, nuk ishte i angazhuar në detyra zyrtare fetare, por çdo shërbim e bënte plotësisht në formë humanitare.

Kishte një jehonë të madhe në popull për papërtueshmërinë në ndihmën ndaj besimtarëve pa dallim në qytet apo në fshat. Ndihma e tij ishte e madhe për nevojat shpirtërore të besimtarëve, për mbarëvajtje, për pajtime, për unitet kombëtar etj.

Këshillat e tij ishin frytdhënëse e të dobishme, ishin këshillat e një kleriku shembullor e të kulturuar”. 

Në jetën e veprimtarinë e tij Hafiz Adem Kazazi fitoi nderimin e vlerësimin e duhur qytetar, i krijoi vetes një vend të merituar në elitën intelektuale islame, u rendit në personalitetet e shquara fetare të Shkodrës./RealitetiPost/

Vula e Hafiz Adem kazazit

(Marrë nga libri “100 personalitete shqiptare të kulturës Islame)

Pergatiti: Medin Guri

Shpërndaje