E FUNDIT/ Propozohet shkrirja e gjykatës së Apelit Shkodër…

Shpërndaje

Në tryezën e diskutimeve për hartën e re gjyqësore u deklarua se Gjykata e Apelit në Shkoder, nga viti në vit ka patur ulje të numrit të çeshtjeve të shqyrtuara. Ky ishte edhe një nga faktorët që solli propozimin për mbylljen e saj dhe kalimin e çeshtjeve në Tiranë, atje ku do të mbahet barra kryesore e këtyre ndryshimeve në sistemin gjyqësor.

Ora News kërkoi një informacion më të detajuar në gjykatën e Apelit të Shkodrës për çeshtjet që ajo ka shqyrtuara gjatë dy dekadave të fundit dhe cili ka qënë trendi i tyre përgjatë viteve 2000 – 2021.

Referuar statistikave, kjo gjykatë e cila mbulon të gjithë veriun e Shqipërisë, ka ardhur duke njohur rritje të numrit të çeshtjeve të shqyrtuara, ku nga 697 të tilla që kishte në vitin 2000, trendi ka njohur rritje për të kapur rekordin në 2016-en me 3100 çeshtje të depozituata në apel, 2873 në 2015-en, e për të përfunduar në 2234 të tilla nga janari e deri me 28 dhjetor 2021.

Nga ngjarjet e rëndë e deri tek ato të cilësuara të shkallëve më të ulëta, kjo gjykatë ndër vite tregon se është përballur me rekorde rastesh të paraqitura, që vitet e fundit për shkak të reformës në drejtësi dhe largimit të shumë gjyqtarëve, i është dashur të përballet edhe me fenomenin e zvarritjes së një pjesë të madhe të tyre.

Sot me këto ndryshime të propozuara, barra më e madhe pritet të bjerë tek qytetarët, të cilët nëse deri më sot ju është dashur të presin deri në 3 vite për një vendim, me kalimin në duart e një gjykate të vetme Apeli, të të gjithë çeshtjeve, rrezikohet që shumë prej tyre të tërhiqen për të kërkuar zgjidhje në “shkallën e dytë” të drejtësisë.

Shpërndaje