Nënkomisari u vra në krye të detyrës, Basha: Sot nuk është dita për të ngritur gishtin e përgjegjësisë, por…

Shpërndaje

Lulzim Basha foli për mediat pasi kreu homazhe në nder të nënkomisarit të rënë në krye të detyrës, Saimir Hoxha. Basha tha se sot nuk është momenti për të ngritur gishtin e përgjegjësisë, por ai dhe PD do të bëjë të pamundurën që sakrifica e policëve të vihet në vend.

“Jam këtu për t’i dhënë lamtumirën e fundit Saimir Hoxhës, bashkë me lutjet e mia dhe gjithë kolegëve e bashkëpunëtorëve të mi që shpirti i tij të prehet në paqe dhe që Zoti t’ua lehtësojë dhimbjen e padurueshme bashkëshortes, fëmijëve, prindërve, familjarëve të tij. Po kështu për të shprehur solidaritetin tim të plotë dhe mbështetjen time për vëllezërit dhe motrat në uniformë të Saimir Hoxhës të cilët përballen ditë për ditë me rrezikun vdekjeprurës të luftës kundër krimit dhe mbrojtjes së ligjit, jetës dhe sigurisë së çdo qytetari dhe qytetareje e gjithë fëmijëve të këtij vendi. Sot nuk është dita për të ngritur gishtin e përgjegjësisë, por si drejtues i dikurshëm i tyre ju them se dhimbjen e tyre të përditshëm për braktisjen dhe poshtërimin që ndjejnë, e ndjej përditë dhe se unë e PD do të bëjmë gjithçka që sakrificën e tyre, uniformën e tyre, dinjitetin e tyre ta vemë në vend një orë e më parë. Hapi i parë për këtë do të jetë një shtet në krah të motrave e vëllezërve të Saimir Hoxhës, në krah të policisë, ë krah të ligjit dhe kundër krimit. I paharruar qoftë kujtimi i tij”, tha Basha.

Shpërndaje