Katër spitale në rrethe për Covid, pacientët e parë në Durrës e Shkodër, më pas Vlorë e Elbasan

Shpërndaje

Ministrja e Shëndetësisë në seancën parlamentare ka theksuar se tashmë do të nisë aktivizimi dhe i spitaleve rajonale. Sot do të hapen spitalet në Durrës dhe në Shkodër e për të vazhduar me Vlorën, Korçën dhe Elbasanin. Po ashtu ajo shtoi se vazhdon komunikimi për marrjen e vaksinave të reja për të bërë të mundur vaksinimin e të gjithë popullsisë.

Fundi i vitit 2020 solli një ulje të ndjeshme të pacientëve të prekur nga koronavirusi që trajtoheshin në spitale.

Frymëmarrja e mjekëve zgjati shumë pak, pasi nisja e shkurtit solli një përhapje të shpejtë të pandemisë, me mbi 1200 të prekur në 24 orë.

Si pasojë dhe shtretërit e lirë në 2 spitale shkoi drejt ezaurimit. Si zgjidhje është menduar shtrimi i të prekurve në rrethe.

“Do të aktivizojmë, duke filluar nga sot spitalet rajonale, duke filluar më Durrësin dhe Shkodrën e më tej me Vlorën, Korçën dhe Elbasanin. Nëse do të ketë mbingarkesa në këto spitale do të vijojmë me skenarët e dyte dhe të tretë, pra për të aktivizuar në kapacitete të plota pavijonët Covid brenda strukturave tona të spitaleve rajonale,” tha Manastirliu.

Paralalisht në parlament ministrja Ogerta Manastirliu tha se po punohet dhe me sigurimin e vaksinave për të gjithë popullsinë.

“7200 doza vaksinash vijnë sot nga kontrata me Pfizer. Siç lidhëm kontratën me Pfizer do të vijojmë me Covax, pra me dozat e AstraZeneca që janë dhe pritet të vijnë me përfundimin e procedurave të Covax dhe po punojmë gjithashtu për lidhjet e marrëveshjeve direkte me shtete partnere për të siguruar edhe më shumë doza vaksine,” u shpreh ajo.

Deri më tani janë vaksinuar 1200 mjekë dhe infermierë nga të cilët 540 kanë marrë të dy dozat.

Shpërndaje