Një operacion ndërkombëtar droge i shtrirë në 4 shtete të Europës ka çuar në prangat e policisë 8 persona, 6 prej të cilëve janë shqiptarë. Operacioni u zhvillua prej datës 15 deri më datën 21 Dhjetor, në Shqipëri dhe Belgjikë. Nga hetimet e kryera mes policisë shqiptare, SPAK dhe partnerëve ndërkombëtarë të arrestuarit janë identifikuar si drejtuesit e një grupi të strukturuar kriminal që merreshin me trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në drejtim të Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë.
Në një operacion të koduar “ATOS”, në periudha të ndryshme gjatë vitit 2019 dhe vitit 2020 janë sekuestruar rreth 232 kilogramë kokainë, një armë zjarri pistoletë, si dhe rreth 200 mijë euro.
Në pranga përfunduan Musa Gjikola, Genti Balliu alias Flamur Balliu nga Tirana, Ramazan Rraja dhe Fioralb Rraja nga Nikla e Fushë Krujës, Bledar Pepaj nga Puka dhe Fatmir Xhecuka nga Laci, si dhe dy shtetas të huaj, një lituanez dhe një grek.
Të gjithë këta persona janë kapur jashtë, ndërsa në vendin tonë nuk është bërë asnjë arrestim, por vetëm shoqërime, vëzhgime familjarësh dhe verifikime pasurie. Identifikimi i të dyshuarve si krerë të grupit kriminal erdhi pas një operacioni të zhvilluar nga policia gjermane në vitin 2018 të koduar “Paraguaj”, si rezultat i të cilit u sekuestruan rreth 1 ton kokainë dhe u vunë në pranga 10 shqiptarë.
Ky grup funksiononte duke ngarkuar lëndën narkotike në kontenierët e bananeve nga Amerika Latine. Pasi kontenierët e pajisur nga trafikantët me GPS mbërrinin në destinacion, trafikantët, për të mos u identifikuar dhe zbuluar, organizonin vjedhje me armë të lëndës narkotike nga magazinat ose dhomat e pjekjes së bananeve.