Zbardhet ngjarja ku mbeti i vrarë 46 vjeçari, Policia e Shkodres identifikon autorët…

Shpërndaje

Shkodër/ Zbardhet ngjarja e ndodhur mesditën e sotme në fshatin Mushan.

Identifikohen autorët dhe vijon puna për kapjen e tyre.

Strukturat hetimore të DVP Shkodër, të mbështetura nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, falë reagimit në kohë dhe kryerjes së veprimeve të shpejta, profesionale dhe hetimore, bënë të mundur që brenda një kohe të shkurtër të zbardhnin dhe dokumentonin ngjarjen e ndodhur rreth orës 11:20, në fshatin Mushan, Shkodër, në afërsi të një pike karburanti, ku u gjet i vrarë me armë zjarri brenda në makinë, shtetasi R. H., 46 vjeç, banues në fshatin Darragjat, Shkodër.

Nga tërësia e veprimeve hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Autorët e dyshuar gjatë paradites ishin konfliktuar me djalin e shtetasit R. H. dhe më pas dyshohet se ky shtetas ka ndërhyrë për të sqaruar situatën dhe për pasojë ka mbetur i vrarë me armë zjarri.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, të mbështetura nga FNSH dhe Focat Speciale Renela, nën drejtimin e prokurorit, kanë ushtruar disa kontrolle banesash dhe ambientesh të ndryshme ku dyshohej se mund të fshiheshin autorët.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë po vijojnë krehjen e zonës për të bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve të dyshuar, të cilëve, për arsye hetimore, për momentin nuk iu bëjmë me dije gjeneralitetet.

Gjithashtu, në bashkëpunim me DVP Lezhë vijojnë pikat e kontrollit në akset rrugore, me qëllim kontrollin e imtësisëshëm të personave të dyshuar, për të mos iu lënë mundësinë që të largohen më drejtim të qarqeve të tjera.

Shpërndaje