Myftiu Sytari: “Flamuri njehet si nji gja e shejtë për të gjithë kombet!”

Shpërndaje

“Flamuri njehet si nji gja e shejtë për të gjithë kombet!”

Sa bukur është të lutesh e të punosh fort, me krejt dhuntitë e forcat që të ka dhënë Zoti, për pavarësinë e vendit dhe shoqërisë tënde; jo nga pushtimet iluzive e propagandat populiste, sesa nga kolonizimet reale që prekin në thelb tabanin e vlerave, atë të besimit, moralit e detajeve më të imëta të identitetit kombëtar!

Sa vepër e madhe është të ngrihet individi ynë, me tërë forcat që ka, për ta shëruar veten, vendin dhe shoqërinë nga e keqja, me krejt format e prekjet e saj, që përpiqet dita-ditës të forcojë veten e të tjetërsojë imazhin e shoqërisë e vendit, nëpërmjet imazhit të shëmtuar e tjetërsues të madhështisë së simboleve kombëtare e shpirtit të sinqertë, që na nxit ta duam e të punojmë për atdheun e kombin, përtej kufijve të sakrificës!

Sa veprim i madh moral e kombëtar, që meriton bekimet e shpërblimet e Zotit, është kur përpiqemi të ndalojmë të keqen, korrupsionin, manipulimet e tendencat e djallëzuara në jetën e përditshme, që e shkatërrojnë atdheun, njeriun, jetën e perspektivën në këtë tokë të bekuar!

Sa veprim i lavdëruar e sa atdhetar i dëshmuar është ai që nuk përton në çdo çast të punojë për përhapjen e të mirës, dijes, urtisë, harmonisë, vëllazërisë, drejtësisë e vlerave kombëtare në mesin e vëllezërve të tij, pa dallime e diferencime; duke e konsideruar secilin pjesë të shtrenjtë të familjes së madhe kombëtare e njerëzore!

A nuk është koha, që për hatër të ndjesisë sonë kombëtare dhe dashnisë për vendin e tokën, të bashkohemi, duke kthyer mbrapsht e duke refuzuar me të gjitha format legjitime, propagandën dhe demagogjinë që e kanë shkatërruar ditë pas dite vendin e shoqërinë, në një kohë, kur njerëzit struken vorfnueshëm rreth tymnajave të tejskajshme të varfërisë së imponuar nga pamundësia për të dalë nga bataku i këtyre realiteteve (gati-gati migjeniane!?), me të cilat përballen çdo ditë?!

Tashmë, flamuri kombëtar do të mbushë ekranet, sheshet, sfondet e ligjërimeve, duart e fëmijëve e rinisë dhe, natyrshëm kjo është një simbolikë e shënuar që më sjell ndër mend shënimet e vjetra në revistën “Kultura Islame”: “Sikurse gjuha qi asht sheji ma i madh i nji kombi, shej qi danë njenin popull prej tjetrit, e pa të cilin nuk mund të mendohet nji popull se asht gjallë, ashtu edhe flamuri dallon kombet njenin prej tjetrit.

Si në ditë të soçme ashtu edhe në kohna të vjetra sejcili popull pat flamurin e vet. Flamuri njehet si nji gja e shejtë për të gjithë kombet. Mbasi flamuri paska kaq randsi të madhe, e kenka shej nderi e burrnije, kështu do të jetë edhe për ne flamuri kuq e zi … ” – (Shkruar nga Veli Hafizi, vit’ i V, nr. 2-3 (50-51), Tetuer-Nanduer, 1943, f.50).

Ndërsa mesazhi i madh i kësaj date, struket në thelbin e vargjeve të poetit tonë të madh kombëtar, Naim Frashëri, që shkruan:

“Të munjam të fluturonja, e të
kisham krahë si ti!
Me gaz të madh do të vinjam
Shqipërisë brenda në gji!
Për me marrë drejt Shkumbinë
edh’ Elbasan e Tiranën
E me ardh ke ti, o Shkodër të shof
Drinin e Bujanën!”

Sot, të gjithë e kemi për borxh kombëtar të punojmë kundër të keqes (në krejt dimensionet e saj) e të bashkojmë duart me këdo që mendon e punon për të mirën e atdheut, flamurit kombëtar e interesit të Shqipërisë e shqiptarëve, si të barabartë në mesin e popujve, plot dinjitet e krenari legjitime!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 27 nëntor 2020

Shpërndaje