COVID-19/ MSH: 143 raste të reja dhe 6 humbje jete në 24 orët e fundit në vend…

Shpërndaje

Mirela Cami, Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor tha sot se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 650 testime për të dyshuar të prekur nga Covid 19, ndërsa 143 persona janë konfirmuar positive me Covid19.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 45 raste në Tiranë, 31 në Durrës, 17 në Korçë, nga 6 raste në Shkodër, Krujë, Vlorë, nga 4 raste në Elbasan, Lezhë, Lushnje, Tropojë, nga 3 raste në Berat, Gjirokastër, 2 në Kavajë, nga 1 rast në Kukës, Mat, Malësi e Madhe, Prrenjas, Memaliaj, Klos, Gramsh, Shijak.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 51 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3746, që nga fillimi i epidemisë.
Mjekët e familjes në të gjithë vendin po monitorojnë çdo ditë personat aktivë me Covid19, që janë të izoluar në banesë.

Në rast se jeni i prekur dhe keni shenja të lehta të sëmundjes, kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun tuaj të familjes.

Në rast se simptomat përkeqësohen, kontaktoni Urgjencën Kombëtare 127, e vetmja strukturë që bën referimin dhe transportin drejt spitaleve COVID.

Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 119 pacientë të konfirmuar pozitivë, 14 pacientë janë në terapi intensive, 3 prej të cilëve të intubuar.

Ju informojmë se në dy spitalet Covid po vijojnë të trajtohen edhe 14 pacientë të cilët kanë qenë pozitivë me Covid19 dhe aktualisht janë negativizuar, megjithatë vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.

Ndërsa vazhdojnë të trajtohen sipas protokolleve përkatëse edhe pacientë të dyshuar të prekur nga virusi i rrezikshëm.

Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, një 58 vjeçar nga Tepelena, një 71 vjeçar nga Durrësi dhe 4 qytetarë nga Tirana; një 50 vjeçar, një 54 vjeçare, një 67 vjeçar dhe një 70 vjeçar.
I shprehim ngushëllimët familjarëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet gjithë qytetarëve dhe bizneseve të jenë të kujdesshëm dhe të jenë rigoroz në zbatimin e protokolleve të sigurisë. Kjo është e vetmja mënyrë që të kufizojmë përhapjen e infeksionit. Sjellja individuale është përcaktuese në këtë betejë me Covid19.

Është shumë e rëndësishme që jo vetëm personat e konfirmuar pozitivë por edhe ata që janë të dyshuar apo janë në që janë në pritje të përgjigjes së testit, duhet të qëndrojnë të izoluar në shtëpi, pasi janë burim për përhapjen e infeksionit

Shpërndaje