Edhe kjo e dielë nuk ka sjellë asnjë përmirësim sa i takon numrit të lartë të infektuarve dhe viktimave nga Covid.
Në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 6 persona.
“Fatkeqësisht, edhe pas përpjekjeve të mëdha të ekipeve mjekësore, ka ndërruar jetë artisti 53 vjeçar nga Tirana. Gjithashtu dy spitalet Covid, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen, një 61 vjeçar nga Tirana, një 62 vjeçar nga Durrësi, një 76 vjeçar nga Tirana, një 77 vjeçar nga Pogradeci, një 87 vjeçare nga Shkodra” njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Ndërkohë në 561 testime të kryera për rastet e dyshuara për Covid,136 tamponë kanë dalë pozitivë për virusin.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 66 raste në Tiranë, 13 në Krujë, 11 në Shkodër, 8 në Patos, 7 në Vlorë, 6 në Kavajë, nga 4 raste Kuçovë, Fier, nga 2 raste Berat, Librazhd, Kamëz, Gjirokastër, Sarandë, nga 1 rast Durrës, Mirditë, Mat, Roskovec, Malësi e Madhe, Peqin, Gramsh.
Ndërkohë në 24 orët e fundit janë shëruar 74 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3342, që nga fillimi i epidemisë.
Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 112 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid19, 18 pacientë janë në terapi intensive, 3 prej të cilëve të intubuar.
Në të dy spitalet Covid, përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me Covid19, po vijojnë të marrin trajtim edhe pacientë të dyshuar, të cilët po trajtohen sipas protokolleve përkatëse.