Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e ftuar në programin Top Talk në Top Channel tregoi se çfarë pritet të ndodhë në muajin gusht me shtimin e rasteve të infektuar me Covid-19.
Ajo tha se nga parashikimet e ekspertëve mjekësore, pritet një shtim i rasteve të prekur me virusin në muajin gusht.
Ministrja shtoi se janë duke vijuar përgatitjen për t’u përballur me çdo situatë.
“Ne përpiqemi të jemi realistë në parashikimet, ne vlerësojmë që bazuar në situatën aktuale dhe shfaqjen e simptomave do të vijojë të ketë rritje edhe në muajin gusht. Do ballafaqohemi me rritje dhe po marrim të gjitha masat për të vijuar me forcimin e kapaciteteve spitalore dhe prandaj po hapim spitalin Covid-2. Jemi duke vijuar përgatitjen për t’u përballur me çdo situatë, por shpresojmë që edhe njerëzit të ndërgjegjësohen me rregullat që kemi vendosur, që nuk janë më preferenciale por të detyrueshme. Kjo është një luftë që duhet ta bëjmë për vete e për familjarët,” tha Manastirliu.
Megjithatë ajo tha se nuk parashikohet kthimi i karantinimit pasi situata vlerësohet të jetë e kontrollueshme.
“Nuk parashikojmë të mbyllemi se po vlerësojmë situatën, dhe situata vlerësohet të jetë e kontrollueshme nga ekspertët tanë. Duhet të theksojmë sërish ndërgjegjësimin e individit në raport me sjelljen dhe detyrat e përgjegjësitë që duhet të marrë dikush në këtë situatë. Distancimi fizik është shumë i rëndësishëm dhe higjena personale,” tha Ministrja.