31 dhjetori pa orë policore, Manastirliu: Vendimi i bazuar në situatën në vend, do kërkohet kujdes i shtuar, ka protokolle shëndetësore të miratuara

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka shpjeguar sot vendimin e Komitetit të Ekspertëve për të hequr orën policore natën e ndërrimit të viteve. Manastirliu tha se pavarësisht heqjes së orës policore, rregullat mbeten dhe se do të kërkohet kujdes i shtuar.

“Është një vendim që komiteti teknik e ka bazuar në situatën në vend, indikatorët e incidencës dhe situatës në tërësi, ka vlerësuar që data 31 të jetë një ditë e hapur, duke qenë se ka bërë një vlerësim më të gjerë të situatës dhe në rajon. Sigurisht është shqetësues dhe varianti Omicron, por 31 dhjetori pavarësisht se do jetë ditë e hapur, do të kërkohet një kujdes i shtuar.

Ne kemi protokolle shëndetësore të miratuara, janë në zbatim. Protokollet përcaktojnë masën dhe kapacitetet që duhet të kenë baret, restorantet për aktivitetin e tyre. ISHSH bën inspektime. Dje janë kryer 320 inspektime, duke vendosur më shumë se 311 rekomandime për përmirësime masash. Lufta me pandeminë iu përket të gjithëve. Përgjegjësia individuale, qytetarë duhet të rritet akoma më shumë”, tha Manastirliu.

Ajo theksoi se nga data 4 janar do të vendosim në fuqi paraqitjen e green pass-it në institucione dhe shërbime, ose me certifikatën e shërimit që është e disponueshme në e-albania, ose nëpërmjet testit.