Zbulohet axhenda/ Vllaznia drejt Ulqinit, test miqësor me Prishtinën…

Vllaznia ka marrë pushimet pas ndeshjes me Kukësin. Të gjithë futbollistët e huaj në ekip, përfshi edhe trajnerin Brdariç, janë larguar pranë familjeve të tyre për të kaluar festat e fundvitit.

Stafi ka lajmëruar lojtarët se duhet të jenë në Shkodër më 3 janar 2022 për të rinisur përgatitjet.

Edhe kjo periudhë e këtij fundviti nuk do të jetë pushim total për futbollistët, pasi stafi i ka dhënë secilit një program individual, në mënyrë që të mos abuzojnë për festat dhe të vijnë në Shkodër mbipeshë.

Burime në klub i treguan dje gazetës se më 4 janar skuadra do të udhëtojë drejt Ulqinit në Malin e Zi, aty ku do të zhvillojë për rreth një javë nga dy seanca në ditë.

Pas ditëve në Ulqin, me t’u kthyer ekipi në Shkodër, është programuar një ndeshje miqësore me kampionët e Kosovës, Prishtinën.

Ky takim do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi”, por me datën dhe orarin që mbeten për t’u përcaktuar përfundimisht në fillimin e vitit 2022. Kjo miqësore do të shërbejë si provë gjenerale para ndeshjes së kampionatit me Tiranën.

PANORAMASPORT.AL