“Vlora, Shkodra, Elbasani…”, gazetari i kronikës: Ja qarqet me kriminalitetin më të lartë në vend…

Gjatë intervistës së tij për gazetaren Besmira Pelushaj, në RTV Ora, gazetari i kronikës në Ora News Elton Qyno teksa dha detaje të reja nga vrasja e 3 marsit në Vlorë, ku humbi jetën 31-vjeçari Tauland Manaj, foli edhe për fenomenin e të zhdukurve në qytetin bregdetar.

Sipas tij, ky fenomen duhet parë në dy aspekte: në persona realisht të rrëmbyer e më pas të zhdukur dhe në persona që për shkak borxhesh apo konfliktesh të tjera largohen me dëshirën e tyre nga banesa.

“Ky fenomen duhet ndarë në dy çështje: kur vërtetë janë persona të zhdukur dhe kur, këta persona që raportohen si të zhdukur, janë të vetëlarguar nga banesa. Kemi disa episode ku është provuar që këta individë janë rrëmbyer nga individë të tjerë sepse janë fokusuar nga kamerat e sigurisë por ka edhe dëshmitarë okularë që tregojnë qartësisht mënyrën se si është rrëmbyer, se si është goditur. Madje ka patur dëshmi që tregojnë, siç ishte rasti i Xhaferajt, ishte ekzekutuar me çekiç brenda në makinë. Pra, kemi dëshmi që tregojnë për rrëmbime dhe vrasje, ndërkohë kemi edhe shumë ngjarje të tjera kur këta persona, për shkak të konflikteve që kanë, për shkak të borxheve që kanë apo për çdo lloj arsye të mundshme, largohen nga vetë nga banesa me qëllimin e vetëm shmangjen e këtyre detyrimeve”, u shpreh ndër të tjera Elton Qyno.

Pse ky kriminalitet i lartë në qarkun e Vlorës?

Sipas Qynos, Vlora së bashku me Shkodrën, Durrësin, Fierin dhe Elbasanin rënditet mes qarqeve me aktivitet të lartë kriminal.

Elton Qyno: “Vlora gjithmonë ka qenë potencial apo pulla e kuqe sa i përket Republikës së Shqipërisë lidhur me aktivitetin kriminal. Jo vetëm se janë njerëzit gjaknxehtë, krijojnë situata të pakëndeshme, por edhe brenda këtyre situatave përdorin armët. Por edhe për shkak të shtrirjes gjeografike që ka vetë Vlora. Dikur vlonjatët merrnin shqiptarët dhe i transportonin drejt Italisë, sot marrin sirianë apo refugjatë të ndryshëm dhe i çojnë në Itali. Pra, po të bësh një analizë, skema e trafikut është e njëjtë, thjesht kanë ndryshuar pasagjerët. Dikur ishin shqiptarët, sot janë sirianët. Si linjë, si aktivitet është thuajse e njëjtë me vitet ’94 dhe deri kur u liberalizuan vizat.

Sigurisht që është një qark mjaft problematik. Duke u rënditur një nga qarqet më të mëdha sa i përket krimit në Shqipëri. Është një qark që regjistron 6 mijë krime në rang vjetor. Është një prokurori, si ajo e Vlorës, që regjistron 6 mijë procedime penale. Gjithë këto 6 mijë dosje përkthehen në krime. Nuk janë ngjarje ordinere, por ngjarje mjaft të rënda, të cilat edhe pse nisen nga Prokuroria e Vlorës ndiqen nga Drejtoria e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit por edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, siç ishte në atë periudhë.

Pra, është qarku që mund të rënditet me Shkodrën, me Durrësin, me Fierin, por tashmë po konkurron edhe me Elbasanin pasi edhe Elbasani është një qark që ka një intensitet mjaft të lartë të kriminalitetit”.