
Ekipi i mundjes i Vllaznisë po përjeton një ringritje graduale, duke rikthyer traditën e një prej disiplinave më të suksesshme të klubit shkodran. Pavarësisht sfidave të viteve të fundit, sidomos në infrastrukturë dhe kushte stërvitore, puna me sportistët e rinj dhe angazhimi i stafit teknik kanë bërë që ekipi të rifitojë konkurrueshmërinë në nivel kombëtar.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces kanë pasur edhe ish-mundësit Ded Bregu dhe Nazmi Elezi, të cilët kontribuan në riorganizimin e ekipeve të moshave. Aktualisht drejtimin e ka marrë Altin Anza, i cili po vijon një traditë sportive familjare, duke u fokusuar në zbulimin dhe formimin e talenteve të reja në mundjen shkodrane.
Rezultatet pozitive u reflektuan së fundmi në Kupën e Shqipërisë të zhvilluar në Tiranë, ku Vllaznia u rendit në vendin e dytë në garën ekipore, pas Tiranës kampione. Në garat individuale u dalluan Eglis Mhillaj (70 kg), Klevis Koçeku (79 kg), Enes Anza (86 kg) dhe Kevin Kiri (97 kg), të cilët siguruan vendin e dytë në kategoritë e tyre.
Gjithashtu, Fabian Dodani (61 kg), Maldin Camaj (65 kg) dhe Jurgis Pepaj (74 kg) u renditën në vendin e tretë, duke plotësuar një paraqitje të mirë të ekipit kuqeblu.
Pas këtij suksesi, sportistët e Vllaznisë po vijojnë përgatitjet për Kampionatin Kombëtar, ku synimi kryesor mbetet një renditje sa më e lartë ekipore dhe rezultate të forta në konkurrencën individuale.




