“Vllaznia ka pasur gjithmonë harmoni dhe do të ketë”, kapiteni Gurishta: Golat i pësojnë të gjithë, jo vetëm mbrojtja

Erdenis Gurishta, kapiteni kuqeblu, shprehet tejet i kënaqur me fitoren e ekipit të tij në përballjen me Laçin. Në një intervistë për “Panorama Sport” mbrojtësi ka folur me optimizëm edhe për vazhdimësinë. Një gjë të tillë e kërkon që në përballjen ndaj Teutës. Ndërsa e quan pozitive ecurinë e deritanishme, shprehet se ekipi mund të kishte më shumë pikë.

Keni arritur një fitore me shumë vlera ndaj Laçit. Cili ishte çelësi i këtij suksesi?

Ishte një ndeshje e vështirë edhe e dinim, sepse Laçi vinte në Shkodër për 2 rezultate. Ne zhvilluam lojën tonë që nga fillimi deri në fund dhe ishim të sigurt që do të merrnim maksimumin në qoftë se do evitonim gabimet.

Keni gëzuar shumë pas këtij takimi, madje duke demonstruar edhe një unitet në fund të takimi…

Uniteti dhe harmonia te Vllaznia kanë qenë gjithmonë dhe do të vazhdojnë të jenë pavarësisht rezultateve. Gëzuam në fund të takimit, sepse ishte një ndeshje e rëndësishme që duhej fituar edhe pse kushtet atmosferike ishin shumë të vështira.

Pas përballjes me Skënderbeun është hera e dytë në këtë sezon që Vllaznia nuk pëson. Një fakt domethënës?

Në fakt, kur pëson shumë gola, direkt kritikohet mbrojtja, por realiteti është që kur pësojmë, e pësojmë të gjithë dhe kur shënojmë, shënojmë të gjithë. Gjithsesi, ekipi po tregon stabilitet në të gjitha repartet dhe kjo është më e rëndësishme.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS ”PANORAMA SPORT”