Vllaznia – Goga Basket/ Faslija dhe Llazani konferencë për media

Ardhja e trajnerit të ri tek Vllaznia e basketbollit të meshkujve ka rikthyer optimizmin se skuadra mund të zhvillojë një kampionat të mirë. Të njëjtin mendim ndajnë edhe dy basketbollistët e saj, Herion Faslija dhe Erjon Llazani. Ato dolën ditën e sotme në një konferencë për mediat para ndeshjes me Goga Basket.

“Që në mënyren e lojës shihet qartë që të gjithë lojtarët janë të përfshirë, luajmë më me dëshirë dhe pasion. Besoj është krejt e dukshme që të gjithë lojtarët ndihen më mirë. Kjo është meritë e trajnerit të ri që ka marrë kohën e duhur për të shfrytëzuar secilin në atë që di të bëjë më mirë.
Skuadra po funksionon më mirë. Kush e njeh skuadren e di çfarë ka në përbërje, e di që ka në përbërje lojtarë që ndër vite kanë fituar trofe.
Për titullin është një rrugë e gjatë për të folur, por mendojmë të bëjmë stërvitje të mira dhe shpresojmë që të pasqyrohen në ndeshje të mira. Në fakt e prisnim një fitore ndaj Teutës, sidomos nga mënyra si u zhvillua loja por ajo ndeshje ka përfunduar dhe duhet të fokusohemi tek sfida me Goga Basket, që është shumë e rëndësishme, por pavarësisht rezultatit, pas kësaj do të ketë edhe shumë ndeshje të tjera.” – u shpreh Faslija.

Ndërkohë, Llazani është ndalur tek besimi që po i jep trajneri i ri në lojë. “Atmosfera është më e mirë në skuadër, pasi të gjithë lojtarët po përfshihen dhe kur luajmë të gjithë jemi më të kënaqur. Kemi dëshmuar ndër vite që mund të luajmë mirë basketboll, si me ekipin e Vllaznisë, ashtu edhe me ekipe të tjera.
Nëse ne do përshtatemi shumë shpejt me filozofinë e trajnerit të ri, normalisht që do luajmë shumë më mirë dhe shpresojmë në një fitore. Trajneri i ri po më jep minuta dhe them se po justifikoj besimin e tij. Ne duhet të jemi më të përqëndruar në ndeshje, sepse me disa gabime të vogla që kemi bërë na ka kushtuar humbjen ndaj Teutës.” – theksoi Llazani.

Faslija dhe Llazani ishin ndër lojtarët më të mirë të Vllaznisë në sfidën ndaj Teutës dhe besojnë se një paraqitje të tillë mund të zhvillojnë edhe nesër në ora 18:00 ndaj Goga Basket.