VIDEO/ “Zoti na ndihmoftë, nuk e di ku flemë sonte”/ Çifti i të moshuarve në Obot në ‘qiell të hapur’: Na u bë shkrumb shtëpia për 5 minuta!

Një banesë është shkrumbuar nga zjarri mbrëmjen e së hënës në fshatin Obot të njësisë Ana e Malit në Bashkinë Shkodër. Banesa i përkiste një çifti të moshuarish. Fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Por, Loro dhe Liza Gocaj kanë mbetur në qiell të hapur dhe bëjnë apel për ndihmë. Me lot në sy, Liza thotë se nuk kanë djalë ku të strehohen, ndërsa vajzat nuk kanë gjendje të mirë ekonomike.

Mësohet se shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike.

“Po shkoja me u vizitu në Shkodër, vetëm kur më morën në telefon dhe më thanë se shtëpia po t ë digjet. Jemi kthyer direkt në rrugë dhe gjetëm gjithçka shkrumb.

Për 5 minuta nuk ke pas cfarë me pa këtu.

Te korenti besoj ka plas ndonjë shkëndijë se as gaz nuk përdor, sobën e druve e kam pas mbyllur. Të më ndihmojë Zoti, nuk di çfarë të thëm! Mbrëmë kemi shkuar në spital e u kthyem e qëndruam te vajza, tërë natën pa gjumë.

Gjithë këtë stres që kam, nuk e di ku do flemë sonte”-u shpreh e zonja e shtëpisë.