Ukrainë, vritet kameramani veteran i Fox News…

Fox News ka njoftuar se kameramani veteran Pierre Zakrzewski është vrarë derisa mbulonte luftën e Rusisë në Ukrainë.

Zakrzewski u plagos në të njëjtin sulm që shtroi në spital korrespondentin e Departamentit të Shtetit të Fox News, Benjamin Hall. Gazetarët u sulmuan derisa ishin në një automjet jashtë kryeqytetit Kiev.

“Me trishtim të madh ne këtë mëngjes ndajmë lajmin në lidhje me kameramanin tonë të dashur, Pierre Zakrewski. Pierre u vra në Horenka, jashtë Kievit, Ukrainë. Pierre ishte me Benjamin Hall dje në mbledhjen e lajmeve kur automjeti i tyre u godit”, tha shefja ekzekutive, Suzanne Scott.

Zakrewski dhe Hall u sulmuan një ditë pasi gazetari amerikan, Brent Renaud, u qëllua për vdekje në periferi të Kievit, pasi thuhet se u sulmuan nga trupat ruse.

Juan Arredondo, një fotoreporter që po udhëtonte me Renaud, po ashtu u plagos dhe u shtrua në spital kur automjeti i tyre u godit.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, që filloi më 24 shkurt, ka tërhequr dënimin ndërkombëtar, si dhe ka çuar në sanksione financiare ndaj Moskës dhe ka nxitur një eksod të kompanive globale nga Rusia.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 596 civilë janë vrarë dhe rreth 1.100 të tjerë janë plagosur, që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatë (UNHCR), pothuajse 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina, duke kërkuar strehim në vendet fqinje.