U ul në pankinën e Vllaznisë, Josa: Projekt afatgjatë, pata bisedë të sinqertë me Xhaferin…

Mirel Josa u ul në stolin e Vllaznisë, pasi këta të fundit larguan Plorin. Trajneri është i ftuar sonte në Sport News Plus në News 24, ku përveç se zbuloi disa detaje, u përgjigj edhe pyetjeve të ndryshme. Josa u shpreh se projekti me klubin nuk është vetëm për tri ndeshjet e mbetura sezonale, por më shumë se kaq.

“Për mua nuk është bast i madh. Drejtuesit kanë menduar të bëjnë kështu, pra të ndërpresin marrëdhëniet me Plorin dhe të më vendosin mua. Pati sinqeritet biseda që pata me Presidentin Xhaferi. Nuk është projekt për 3 ndeshje.

Europa? Kush është ai trajner që nuk dëshiron të fitojë. Mua më intereson shumë e ardhmja.

Puna jonë kështu është, aty ku mendojmë se jemi shumë të fortë, në atë moment dije që e ke humbur toruan. Do të mundohem që të mos e humb këtë radhë. Megjithatë jam i kënaqur pasi kam shkuar në një qytet i cili më do.

Unë dëgjova fjalë se pata fituar shumë te Skënderbeu dhe më ka ikur oreksi për të fituar. Por unë jam nga ata persona që të gjitha që kam bërë më parë, të gjitha sukseset, se nuk kemi pas vetëm ato por edhe disfata, unë i shumëzoj me zero dhe me intereson shumë e ardhmja”, Tha ai.