U denoncua i zhdukur, gjendet i mbytur vogëlushi 5-vjeçar

Pas dy javësh i humbur gjendet i pajetë i mbytur në një kanal me ujë 5-vjeçari Klodian Hashimi. Vogëlushi ishte denoncuar 2 javë më parë i zhdukur në emisionin “Pa Gjurmë”

Klodian Hashimi 5- vjeç rezultonte i humbur në 17 shkurt të këtij viti, nga parku i lodrave pranë banesës në Shkozë. Pikërisht në një kanal me ujë pranë zonës ku banon familja e tij, djali është gjetur i mbytur. Konfirmimin e dha në redaksinë e Report Tv, xhaxhai i tij i cili është njoftuar nga i ati i Klodianit, se 5-vjeçari u gjet fatkeqësisht i pajetë. 

“E kanë gjetur brenda në ujë përmbysur, 100 % ai është. për atë dyshohet, se nuk është në kërkim asnjë tjetër fëmijë në lagje. Vëllai më tha që është Klodiani. Është një pellg me ujë, mund të ketë kaluar ndonjë gardh e të ketë rënë. Unë jam në Pogradec, tani po vij, por për Klodianin më thanë se është ai”, tha në një lidhje telefonike për Report Tv, Adriatik Trëndafili, xhaxhai i djalit.

Sipas familjarëve dhe deklarimeve të tyre në emisionin “Pa Gjurmë” më 20 shkurt, 5-vjeçari u la i vetëm për rreth 30 minuta duke luajtur me fëmijët e tjerë dhe pastaj u zhduk pa asnjë gjurmë. Klodiani nuk shkonte në shkollë dhe gëzonte shëndet të plotë.