Turqi, paraburgim për 3 persona që kishin sjellë 1,5 ton drogë nga Shqipëria…

Tre të dyshuar që ishin arrestuar në fillim të javës pasi ishin kapur me 1,5 ton skank të sjellë nga Shqipëria nëpërmjet detit, në rrethin Dalaman të provincës Muğla të Turqisë, janë dërguar në paraburgim nga një gjykatë në rrethin Torbalı të Izmirit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në operacionin e zhvilluar më 7 dhjetor, 3 të dyshuar ishin arrestuar, procedura e të cilëve në Komandën e Xhandarmërisë së Rrethit Torbalı ka përfunduar.

Për të dyshuarit, të cilët pas kontrollit shëndetësor janë transferuar në gjykatë, është vendosur masë paraburgim.

Mësohet se të dyshuarit pretenduan në dëshmitë e tyre se nuk i njihnin blerësit dhe shitësit dhe se kishin ardhur për të transportuar në kamion materialet e gjetura në plazh.

Nga ana tjetër mësohet se droga e sekuestruar në zonën pyjore ishte planifikuar të dërgohet me kamion në një magazinë në rrethin Torbalı.