Tjetër rezultat surprizë në Botëror, Japonia trondit Gjermaninë…

Gjermania e nisi në mënyrën më të keqe të mundshme Botërorin “Katar 2022” pasi u mund 2-1 nga Japonia në ndeshjen e parë në grup. Gjermanët kaluan të parët në epërsi me 11-metërsh të realizuar nga Gundogan, por në pjesën e dytë japonezët shënuan dy herë, duke shkaktuar një tjetër befasi në Botëror, një ditë pas fitores së Arabisë Saudite me Argjentinën.

Japonia tregoi që në fillim ambiciet e saj, pasi shënoi që në minutën e 8 me Maedën por gjyqtari anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje. Pas kësaj, kombëtarja e Hansi Flick u hodh e gjitha në sulm dhe provoi disa herë për të kaluar në avantazh. Një faull në zonë I portierit Gonda ndaj mbrojtësit Raum bëri që gjyqtari të drejtonte gishtin nga penalltia. Aty Gundogan nuk fali dhe dërgoi topin në rrjetë. Në shtesë, Kai Havertz realizoi dhe golin e dytë, por VAR-i akordoi pozicion jashtë loje.

Edhe në fraksionin e dytë, 4 herë kampionët e botës provuan disa herë për të dyfishuar rezultatin veçanërisht me Gundogan dhe Gnabry, por asnjë nga goditjet nuk shkoi në rrjetë. Megjithatë japonezët nuk u dorëzuan dhe në minutën e 75 barazuan shifrat me Doan.

Por magjia japoneze nuk mbaroi me kaq. Vetëm pak më vonë, Asano shënoi dhe golin e përmbysjes dhe shpërtheu festën për japonezët. Pavarësisht se deri në fund gjermanët tentuan për të marrë qoftë dhe një pikë në fund gjithçka u mbyll me shifrat 2-1.