Thirrja e dytë për Bonusin e Rijetësimit/ Ministrja e Kulturës Elva Margariti ndau detajet në Shkodër…

Për të dytin vit me radhë Ministria e Kulturës ka hapur thirrjen për Bonusin e Rijetësimit, një program që i vjen në ndihmë monumenteve dhe pasurive kulturore sa i përket mirëmbajtjes, rimëkëmbjes dhe rijetësimit të tyre. Për të ndarë detaje më të shumta rreth thirrjes së dytë për Bonusin e Rijetësimit, në mjediset e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” e pranishme ishte Ministrja e Kulturës Elva Margariti. Në fjalën e saj ajo theksoi potencialin zhvillues që krijon bonusi ndërsa ky tregues vërehet edhe numrin e lartë të aplikantëve që pati vitin e kaluar.

Ajo që bie në sy në thirrjen e dytë për Bonusin e Rijetësimit është koha më e madhe që u është lënë në dispozicion aplikantëve për të paraqitur projektet e tyre. Gjithashtu përfituese mund të jenë ato objekte që bëjnë pjesë në qendrat historike, ansamble dhe lagje brenda mureve të kalasë duke u zgjeruar në këtë mënyrë sipërfaqja territoriale në dallim nga viti i shkuar.Gjatë takimit pati edhe ndërhyrje nga të pranishmit dhe grupet e interesit të cilët bënë pyetje sqaruese rreth mënyrës së aplikimit për këtë Bonus ose demonstruan shembuj se si grante të tilla u kanë ardhur në ndihmë atyre në të kaluarën.

Të pranishëm në takim ishin gjithashtu edhe eksponentë të tjerë të qeverisjes qëndrore dhe jo vetëm si Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Edona Bilali, deputeti i PS për Shkodrës Benet Beci etj. që vlerësuan mbështetjen që jep ky program.Afati i aplikimeve për thirrjen e dytë të Bonusit të Rijetësimit do të jetë data 10 mars dhe ato do të bëhen online.