Super Vllaznia, i shkakton humbjen e parë Kastriotit…

Vllaznia merr fitoren e radhës në kampionat dhe i shkakton humbjen e parë Kastriotit. Në Kamëz, përballë krutanëve, kuqebluve iu mjaftoi vetëm një pjesë lojë për të siguruar suksesin. Gjithçka ua bëri më të lehtë goli i Dungës në minutën e parë, teksa përballë Hidit nuk fal dhe shënon.

Teksa pritej, reagimi i vendasve, Vllaznia gjen edhe golin e dytë me autor Dilaver që gjithashtu nuk fal në zonë. Në vazhdim, miqtë menaxhuan mirë, por nuk kishin mbaruar ende me gola, pasi në fundin e pjesës së parë, Imeri gjen të papozicionuar Hidin dhe në këtë formë shënon golin e tretë.

Ndërkaq, sa i përket pjesës së dytë, Kastrioti ishte i pafuqishëm për të ndryshuar rezultatin, ndërsa të besuarit e Bërdariç ishin gjithë kohën në kontroll. Pas këtij suksesi, Vllaznia mbetet në vendin e parë me 16 pikë të grumbulluara, ndërsa krutanët mbeten në kuotën e 10 pikëve.