Stigmatizimi i “malokërisë”…

Nga Marlind Laçi:

Nisur nga stigmatizimet institucionale mbi malokërinë këto dy ditët e fundit.

Në Shqipërinë tonë të vogël prej 1912 e këndej janë tre skizmat që e kanë shoqëruar shoqërinë shqiptare prej gjenezës së shtetit.

1)-Skizma krahinore

2)-Skizma fetare

3)-Skizma ideologjike

Në skizmën e parë kjo ndarje (në aq sa kam mundur të lexoj) fillon me marrjen e pushtetit nga Ahmet Zogu , do mjaftonte kaq që Ahmet Zogu të stigmatizohej si ‘malok’ ‘shpellar’ nga Faik Konica e më tej nga rivali i pasuksesshëm i tij politik Fan Noli. Kjo skizëm krahinore në thellimim e saj gjatë regjimit labo-vlleho-komunist na serviret edhe në proporcionet politike të partive shqiptare. Përshëmbull Partia Socialiste nuk ka patur kurrë një gegë si kryetarë prej kalimit në pluralizëm. Kjo formë tribalizmi vërehet qartë edhe në kabinetin e ministrave së qeverisë Rama ku shumica e ministrave apo ministreve burojnë nga familje labo-komuniste. Partia Demokratike si ‘partia e gegëve’ ka qenë tepër e kujdesshme në këto linja ku sa herë ka marrë pushtetin ka kryer një diskriminim pozitiv mbi toskët të cilët përbënin 75% të kabinetit Berisha. Mos harrojmë edhe përplesjet e viteve 1997-98 midis gazetës ‘Rimëkëmbja’ dhe politikanëve jugo-komunist të cilët pushtetin e Berishës e konsideronin si pushtet ‘çeçenësh’. Mbi luftën për influencë politike dhe mbi padrejtësitë që janë kryer mbi popullsinë gege gjej rastin të citoj Xhemal Kusin që në vija të trasha por me një ironi tepër të hollë shprehet se ‘Ahmet Zogu kishte dy problematika që nga lindja:

        1)- Kishte lindur gegë.
        2)- Nuk kishte lindur i krishterë.'

Në zonën e Matit një intelektual me iniciale Y.M prodhoi shprehjen e tij lapidare për të përshkruar represivitetin e pushtetit komunist ndaj gegëve ‘Jam mirë nga biografia por keq nga gjeografia’.

Në skizmën e dytë si fenomen në vendin tonë vërehet që në rrethimin e Shkodrës (1913) ku sipas burimesh të shumta referenciale malësia katolike e mbi Shkodrës u bashkua me sllavët kundër qëndrestarëve musliman në muret e qytetit. Më tej vërehet në tekste të ndryshme historike se si çamët ortodoks në bashkpunim me Zervën përndoqën në format më represive deri në gjenocid çamët musliman. Gjatë komunizmit më të dëmtuarat si komunitete fetare u gjendën muslimanët dhe katolikët duke qenë se shtratin perfekt (edhe pse u prodhua nga kultura kryesisht katolike) komunizmi e gjeti në vendin më të madh të ortodoksisë në Rusi gjithashtu edhe pjestarët e partisë komuniste në vendin tonë në një përqindje dërrmuese ishin ortodoks kryesisht toskë dhe vlleh. Në ditët tona skizma fetare politikisht është tepër e dukshme në retorikën klishe anti-islame që përdor elita politike shqiptare pa dallime partiake. Të qënit musliman në arenën politike shqiptare është kthyer si një formë pezhorativi politik ku nuk ngurrohet të etiketohesh si ‘anadollak’ ‘haxhiqamilist’ apo ‘dumbabist’ si të thuash kjo mendësi fashiste përndjek dhe përlyen çdo musliman që me gjasa maksimale se as ai vetë por as prindrit e tij nuk kanë qenë pjesë e një aventure dy mujore të një fshatari të zellshëm mbase edhe idealist nga Vaqarri në revoltën e largët të vitit 1915. Në vetëdijen qytetare Partia Demokratike vërehet si partia e katolikocentrizmit ndërsa Partia Socialiste si partia e labo-vlleho-ortodoksizmit. Mbi 60% e popullsisë muslimanët janë ende të papërfaqësuar politikisht dhe jo vetëm për fajin e tyre.

Në skizmën e trete politike shqiptarët sipas H.Feraj ndahen në dy grupime që mund të konstatohen qartë : tradita e bashkëpunimit me fqinjët ballkanik sllavët dhe grekët kundër bashkëpunimit me forca jashtëballkanike dhe tradita e anasjelltë e bashkëpunimit dhe miqësisë me popuj jashtëballkanik kundër sllavëve dhe grekëve. Rrymën e parë Feraj në veprën e tij ‘Skicë e Mendimit Politik’ do ta etiketonte me emrin rryma e ‘skënderbegasve’ ndërsa rrymën e dytë me etiketimin si rryma e ‘vasalistëve ‘. Ndasi të tjera të rrymave politike mund të gjejmë edhe tek etiketimi i Esat Pashë Toptanint si një politikan i shkëlqyer i real politikës apo si tradhëtar i përbuzur. Në skizmën politike shqiptare vend me shumë rëndësi ze skizma krahinore dhe skizma fetare. Përshembull një indicie për tu denigruar figura e Esat Pashës nga labo-komunizmi ishte se Esati ishte gegë ndërsa për katolikocentrizmin një indicie më tepër denigrimi ndaj figurës së tij ishte se Esat Pasha përveç se kishte qenë një pasha i suksesshëm osman rridhte si pinjoll i një familje me tradita të forta islame. Në aspektin politiko-historik kryengritja e Haxhi Qamilit dhe e Musa Qazimit ze një vend të konsiderueshëm në dialektikën politike shqiptare ndërsa lëvizja separatiste pro-serbe dhe antishqiptare e Mirditës në vitin 1921 nuk gjen hapsira për tu përdorur si pikë referenciale krahasimi apo edhe stigmatizimi për grupime të caktuara me bazë fetare e krahinore.