SPAK: 14 zyrtarë e ish-zyrtarë nën hetim, mes tyre 3 deputetë dhe 1 ish-ministër…

Shpërndaje

Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka konfirmuar se aktualisht janë duke u hetuar 14 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë. Mes tyre SPAK bën me dije se tre janë deputetë, një është ish-deputet dhe një ish-ministër.

Këto të dhëna janë bërë publike në “regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve” për muajin korrik të publikuar së fundmi.

Pyetja që i ishte drejtuar Strukturës së Posaçme Antikorrupsion ishte se cili është numri i zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë që aktualisht janë duke u hetuar. Dhe përgjigja është kjo:

”Në total janë 14 zyrtarë dhe ish-zyrtarë, përfshirë 3 deputetë, 1 ish-deputet dhe 1 ish-ministër”.

Në vazhdim të kësaj, është dhe një tjetër pyetje që i drejtohet SPAK-ut:

“Pak muaj më parë keni konfirmuar zyrtarisht se keni një ministër nën hetim? Cili është ministri dhe a po vlerësohet nga SPAK caktimi i masë sigurimi ndaj tij/saj?”

Dhe përgjigja është e shkurtër:”Një ish-ministër është nën hetim.”

SPAK nuk ka zbuluar emra.

Ndërkohë një tjetër pyetje që i është drejtuar SPAK-ut është kjo: “Nga lista e deputetëve që kanë dalë nga zgjedhjet e 11 Majit, a ka persona nën hetim?

Kësaj pyetjeje SPAK i përgjigjet me këto fjalë:

“Emrat e përfshirë në listat e dërguara, nuk rezultojnë të jenë regjistruar deri tani si persona në hetim në regjistrin e njoftimit të veprave penale, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

Shpërndaje