Shqipëria humbi gjyqin me Bechettin, Rama: Ai marifetçiu, me Metën dhe Berishën do marrin atë që s’thuhet

Nga Tepelena ku vijoi takimet për fushatën elektorale, kryeministri Edi Rama sulmoi edhe njëherë tjetër sipërmarrësin italian Francesco Bechettin, të cilit Shqipëria duhet t’i paguajë 110 mln euro pas humbjes së gjyqit në arbritrazh.

Rama u shpreh se dy njerëzit më të gëzuar për humbjen e gjyqit janë Sali Berisha dhe Ilir Meta ndërsa theksoi se këta të dy bashkë me Bechettin do marrin nga buxheti i shtetit atë që nuk thuhet.

“Dy njerëzit më të gëzuar për gjyqin që ne e humbim pasi kemi fituar tre të tjerë ishin Ilir Meta dhe Sali Berisha. Një gëzim i neveritshëm dhe një përpjekje po kaq e neveritshme për të motivuar ndjekësit e tyre duke arritur të shpërndajnë trakte nëpër Tiranë se tani shqiptarët do paguajnë një gjobë 110 mln.

Ai marifetçiu bashkë me Saliun dhe Ilirin do marrin atë që nuk thuhet, do marrin atë që nuk hahet. Lufta kundër tij vazhdon. Ai është një marifetçi i paskrupullt që kërkohet nga drejtësia shqiptare dhe nuk do të marrë asgjë nga paratë e shqiptarëve. Mbase dhe hapja e aeroportit të Kukësit ka qenë një nga motivet që i shtyn Ilir dhe Saliun në goditjen e çmendur ndaj aeroportit “Nënë Tereza” duke nxjerrë jashtë loje kullën e kontrollit.”, tha Rama.