Shoferët shqiptar në gjendje të mjerueshme, vetëm 10% e shkelësve të ritestuar morën provimin…

Ndonëse Shqipëria ka numrin më të ulët të automjeteve për banorë në Europë ka nivelin më të lartë të aksidenteve në rrugë me pasojë në humbjen e jetës.

Statistikat zyrtare tregojnë se në shumicën e rasteve fajet burojnë moszbatimi i rregullave të qarkullimit si nga shoferë, ashtu edhe nga këmbësorët. Por një statistikë e fundit e Drejtorisë së Transportit Rrugor tregoi gjendjen e mjerueshme të njohurive të shoferëve që drejtojnë automjetet në vendin tonë.

Nga 429 ri-regjistrime pas humbjes së të gjithë pikëve të Lejes së Drejtimit, vetëm 44 veta kanë rifituar Lejen e Drejtimit, njoftoi sot Drejtoria e Përgjithshme e Transportit RRugor. Siç shihet vetëm 10.2% e shofereve që kanë që janë kapur ne shkelje kanë arritur të rifitojnë patentën.

Me tej DPTRR sqaroi se kishte vetëm 3 kalues në Testin e rimarrjes së Lejes së Drejtimit, në seancën e 20-të të ri-testimit që nga zbatimi i dispozitës së re shtrënguese me rikthim në Autoshkollë (6 Qershor 2022), nga 25 kandidatë për këtë seancë.

“Për ata që ne i konsiderojmë kontingjent shkelësish të rëndë të rregullave të qarkullimit, përsëritës në sjellje që rrezikojnë ata vetë dhe të tjerët në rrugë, që me aktet e reja në fuqi për të rifituar të drejtën e patentës duhet të regjistrohen nga e para në Autoshkollë e t’i ri-nënshtrohen testit teori-praktikë” reagoi sot Drejtoria e Transportit.

DPTRR bëri thirrje të respektohen normat e qarkullimit rrugor sepse “nëse do t’i humbni të gjitha pikët, do të riktheheni në Autoshkollë dhe më pas nën monitorim të rreptë do të rifitoni patentën vetëm nëse nuk keni mbi 3 gabime në pyetësorin e Normave të Sjelljes me 30 fjali si edhe nëse kaloni në testin e praktikës, të dyja testet nën e-Monitorim”.

Aksidentet rrugore me pasojë vdekjen dhe plagosjen janë një bilanc lufte në vendin tonë. Vetëm në muajin prill të këtij viti ndodhen 69 aksidente rrugore. Në 87,0 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha deri 24 vjeç, duke zënë 24,6 % të numrit të aksidenteve gjithsej.

Gjatë vitit të kaluar ndodhen 1.165 aksidente rrugore nga 1.376 aksidente, të ndodhura në vitin 2021.

Aksidentet në 79,0 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve me 2022 është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 28,6 % dhe në 14,3 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit.

Në fund të vitit 2021 në të gjithë vendin ishin të regjistruara rreth 590 mijë vetura. Me të dhëna të përgjithshme 1 në 5 shqiptare ka një makinë. Krahasimi me të dhënat e tjera të Eurostat tregon se Shqipëria e ka këtë tregues shumë më të ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, ku një në dy banorë ka një auto veturë (0.53 auto vetura për banor)./Monitor/