SHKODRËN E VERIUN I SHPËTON VEÇ KORRIDORI I DRINIT…

Nga Ardit Muça

SHKODRËN E VERIUN I SHPËTON VEÇ KORRIDORI I DRINIT

Lugina e Drinit përshkon një pjesë të mirë të trevave shqiptare dhe përbën një aks strategjik për kombin e shtetin tonë, por më gjërë edhe për rajonin. Lugina e Drinit ka qenë nyja lidhëse e rrugëve të transportit për gjithë Veriun e Shqipërisë. Ka një rëndësi strategjike pasi përbën rrugëprerjen më të shkurtër e më të favorshme të brezit të Alpeve Dinarike nga Kroacia e deri poshtë në Greqi. Lugina e Drinit lidh direkt qendrën e Gadishullit Ballkanik me bregdetin Adriatik, që përbën një element thelbësor për gjeopolitikën dhe ekonominë në rajon. Historikisht, zona ka patur zhvillim kur këtij aksi i është dhënë rëndësia që i takon, që e shohim qartë te Mbretëria e Ardianëve, Principata e Balshajve dhe Pashallëku i Bushatllinjëve. Në të tre këto periudha, e gjithë zona ishte e perfshirë nën një subjekt politik dhe në koherencë ekonomike e ushtarake.

Pas 1919, Lugina e Drinit u copëtua në katër shtete. Në Shqipëri u trajtua si aks periferik, që degradoi deri në gjykimin e Partisë së Punës se Drini është më i përshtatshëm për prodhimin e energjisë elektrike se sa për rrugë lidhëse. Një vendim teknikisht i diskutueshëm, pasi Shqipërisë do i shërbente më mirë një nyjë prodhimi sa më afër mesit gjeografik të territorit dhe jo në skajin verior, gjë që imponon linja të gjata transmetimi dhe rrjedhimisht rrit humbjet e energjisë në rrjet. Aq e vendosur ishte Partia, sa as përmbytja e Kukësit të vjetër, një qyteti të tërë pa numëruar dhe shumë fshatra, nuk e ktheu mbrapsht nga projekti.
Efekti më i dëmshëm i digëzimit të Drinit është zhdukja e rrugëve të vjetra, të cilat nuk u rindërtuan më. Bllokimi i nyjeve lidhëse të Drinit, solli izolimin e copëtimin e gjithë Veriut. Një regjimi që nuk i hynte në sy zhvendosja e qyteteve, nuk pritej të konsideronte rindërtimin e rrugëve. Fundja, ishte një regjim që armikun më të madh e shihte te populli i vet. Me gjasë digëzimi i Drinit shërbeu edhe për copëtimin e armiqëve të kudondodhur. Tropoja e Puka, dikur stacione komode në rrugën e Kosovës, tanimë u kthyen në xhepa të vdekur, që me rënien e regjimit u boshatisën të parat.

Por e njëjta logjikë vazhdon me vendimin e qeverisë për ndërtimin e digës në Skavicë, që parashikohet të krijojë një liqen artificial aq të madh, sa nuk ka reshje aq të dendura sa të krijojnë rrezik përmbytje në ultësirën e Shkodrës. Me ndërtimin e Skavicës përmbyten gjithë fshatrat e poshtëm të Dibrës dhe për më keq Dibra ndahet në mes, pa përmendur impaktin mjedisor të veprës dhe ndikimin në agrikulturë, blegtori e pemëtari, që janë veprimtaritë kryesore ekonomike të zonës. Dibra ndodhet mes tre kryeqyteteve dhe çuditërisht është e izoluar nga të tre.

Gjithsesi, Skavica mundet edhe të mos i zhdukë përmbytjet në ultësirën e Shkodrës. Faktori kyç janë shkarkimet nga portat e digës në Vau Dejës, që në varësi të zonave të shkarkimit të reshjeve, mund të jenë problematike edhe pas ndërtimit të Skavicës. Zona e Shkodrës qëllon të përjetojë reshje shumë të dendura, ndërkohë që në Kukës e Dibër nuk bie shi. Patjetër që mund të gjinden zgjidhje më fine për problematika të tilla dhe jo domosdoshmërisht duhet të gjymtohet çereku i territorit. Asnjë shtet nuk e ka një luks të tillë. Digëzimi i Drinit ka izoluar vetë Shkodrën nga akset e saj historike me Kosovën. Politikat e shtetit shqiptar për të çuar çdo gjë në Tiranë, ekonominë, rrugët e popullsinë. Vetëm kufinjtë e Republikës nuk kanë mundur ti lëvizin në Tiranë. Shumica e qyteteve në Shqipëri kanë veç emrin e historinë, ndonjë rast fatlum edhe turizmin.
Korridori i Drinit duhet ti kthehet natyrshmërisë së tij, si aks transporti dhe nyje lidhëse, për të risjellë gjithë Veriun në trajektoren e tij të natyrshme të zhvillimit ekonomik. Kosova e pavarur është një arsye tjetër madhore, që Korridori i Drinit duhet të jetësohet. Tani me Marrëveshjen e 4 Shtatorit 2020 në Washington, mori udhë dalja e hekurudhës nga Nishi në Adriatik. Aksi optimal i hekurudhës dhe autostradës ka qenë dhe mbetet Lugina e Drinit. As turizmi, as Skavica, e asgjë tjetër nuk e gjallëron Shkodrën e Veriun, veç Korridorit të Drinit.
Ende nuk e kemi dëgjuar të paktën as në premtime elektorale, që nënkupton se udhëheqësit e të gjitha partive fatkeqësisht ende mendojnë të çojnë çdo gjë në Tiranë (ose jashtë shteti).