Shkodër/ Ngrohja në shkolla, Ivziku: “Ngrohje me kursim, përshtatemi me situatën”…

Këtë javë zyrtarisht në shkolla është ndezur ngrohja. Drejtori i Arsimit në Bashkinë Shkodër Ergys Ivziku thotë se çdo shkollë do të ketë ngrohje të mjaftueshme por sërish duke respektuar situatën në të cilën jetojmë, kursimin për shkak të krizës energjitike.

Referuar prononcimit të disa ditëve më parë ku Drejtori i Arsimit Hasan Muça kërkoi që Bashkia Shkodër të zëvendësojë ngrohjen me gaz, Ivziku thotë se është i vetëdijshëm për rrezikshmërinë por ky vit ishte zbatim i buxhetit të hartuar.

Pavarësisht kësaj, ngrohja me gaz është zëvendësuar në pjesën dërmuese të shkollave. 3 shkolla në qytet dhe 5 anekse në njësitë administrative kanë mbetur me gaz.

Në njësitë administrative gazi do të hiqet vitin e ardhshëm ndërsa 2 shkolla në qytet kanë problem pasi ngrohja me dru është e pamundur duke qenë se aty mungojnë oxhaqet, ndërsa kaldajat kushtojnë.

Ngrohja në shkolla do vijojë deri në datën 15 mars, por në ditë jo të ftohta ajo nuk do të ndizet për të kursyer.