Shkodër/ Hapet ekspozita e kartolinave me fotografi historike nga Shqipëria…

Në qytetin e Shkodrës është hapur ekspozita e kartolinave historike me temë “Shqipëria, një herë e një kohë”, organizuar nga Instituti “Yunus Emre”- Shkodër, nën kujdesin e Ambasadës e Turqisë në Tiranë, me kartolina me fotografi nga qytetet shqiptare nga koleksioni privat i koleksionistit turk Mehmet Diktaş.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në Galerinë e Arteve në Shkodër, ku ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri dhe përfaqësues të institucioneve lokale në qytetin e Shkodrës, ambasadori Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, tha se me ekspozitën dëshirojnë të krijojnë edhe ura komunikimi.

Duke folur për koleksionistin Diktaş, ambasadori turk tha se “Vetë personalisht nga ana e nënës është nga Kosova, nga Peja. Është pjesë e gjeografisë së zemrës tonë. Ai është edhe një ndër koleksionistët më të mirë për sa i përket arkivave, grumbullimit të dokumentacioneve historike dhe aseteve historike dhe ai personalisht pëlqen shumë që këto t’i ndajë dhe me popullin”.

“Me këtë (ekspozitën) në të njëjtën kohë duam që të ndërtojmë edhe ura komunikimi, ura zemre, ura bese mes të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes tonë”, tha Yörük. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve, ambasadori Yörük shtoi se “Shpresoj që nëpërmjet këtyre kartolinave të bëni një rrugëtim historik në botën tuaj të brendshme”.

Drejtori i Instituti “Yunus Emre” – Shkodër, Zafer Kıyıcı, theksoi se ekspozita ka për synim të mundësojë një rrugëtim në histori. “Në këtë ekspozitë zënë vend 224 kartolina të përzgjedhura me shumë përkushtim nga një koleksion mjaft i gjerë i koleksionistit Mehmet Diktaş dhe katër pulla të cilat i përkasin periudhës së viteve 1900. Kjo ekspozitë i jep jetë një lloj mënyre jetese të viteve të shkuara dhe na përcillet sot në formën e një arti të kartolinave”, tha Kıyıcı.

Të pranishmit i përshëndeti edhe prefektja e Qarkut Shkodër, Majlinda Angoni, e cila duke iu referuar ekspozitës tha se “kemi mundësinë të tregojmë që në vitet 1900, Shkodra ka qenë një qendër kulturore dhe tregtare dhe ka patur një jetë shumë aktive dhe kulturore dhe të ndërthurjeve të këtyre kulturave.”

Koleksionisti Diktaş tha se familja e tij ka emigruar nga Ballkani për në Turqi, duke shtuar se “Tokat, trojet, vatani që lamë faktikisht janë në zemrat tona”

“Kartolinat janë një pjesë e koleksionit tim privat, që na kujton të kaluarën tonë dhe pasurojnë akumulimin e përbashkët të njerëzimit, duke ofruar kështu edhe dialogje të drejtpërdrejta, duke krijuar një rrjet nga e kaluara, në të ardhmen, në çdo aspekt. Shpresoj që këto kartolina të jenë simbol dhe të përfaqësojnë themelin dhe rojtarin e vëllazërisë tonë, miqësisë dhe paqes mes nesh”, tha Diktaş.

Drejtori i Galerisë së Arteve të Shkodrës, Fatmir Juka, duke e konsideruar koleksionin si të jashtëzakonshëm, tha se merr vlerë për dy gjera të rëndësishme, sipas tij “sepse është një koleksion që vjen nga një pozitë tjetër gjeografike nga Shqipëria dhe për Shqipërinë dhe e dyta, çka është më e rëndësishmja, sepse funksioni dhe ruajtja e trashëgimisë përmes imazhit është shumë e rëndësishme”.

Ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur rreth 10 ditë përmban kartolina historike me fotografi nga qytetet e ndryshme shqiptare, që tregojnë mbi historinë e tyre, veshjet tradicionale dhe aspekte të tjera të jetës.