
KF Shiroka është rikthyer në krye të renditjes pas një fitoreje bindëse 6–1 ndaj Gramshit, në ndeshjen e javës së tetë të Kategorisë së Dytë, e luajtur në “Reshit Rusi”.
Shkodranët zhbllokuan shpejt sfidën: në minutën e 8-të, pas një goditjeje dënimi të Vucajt, Leka çoi topin në rrjetë. Vetëm dy minuta më vonë, e njëjta dyshe realizoi edhe golin e dytë. Vucaj vazhdoi paraqitjen e shkëlqyer, duke shërbyer një tjetër asist në minutën e 24-t, kësaj here për Dulajn, që çoi rezultatin në 3–0.
Në pjesën e dytë, Shiroka ruajti ritmin. Olamide shënoi golin e katërt në minutën e 48-të, ndërsa Dulaj kompletoi dopietën e tij në të 56-tën. Olamide vulosi fitoren me golin e gjashtë në minutën e 70-të. Miqtë shënuan golin e nderit në minutën e 82-të me Ajazin.
Falë këtij triumfi, Shiroka ngjitet sërish në vendin e parë me 21 pikë, dy më shumë se Besëlidhja. Ndeshja e radhës do të jetë në transfertë ndaj Tërbunit të Pukës.




