Shiroka dhe Besëlidhja ndalen në barazim, kryesimi mbetet i ndarë…

Shpërndaje

Nuk ka fitues në përballjen kryesore të javës së 10-të në Kategorinë e Dytë, ku KF Shiroka dhe Besëlidhja e Lezhës u ndanë në barazim 1–1 në stadiumin “Reshit Rusi”. Një ndeshje e fortë dhe e luftuar nga minuta e parë deri në fund mes dy ekipeve pretendente për kryesimin.

Shiroka e nisi më mirë takimin duke kaluar në avantazh që në minutën e 6-të, kur Dulaj shfrytëzoi asistin e Olamides dhe dërgoi topin në rrjetë. Reagimi i Besëlidhjes ishte i menjëhershëm, pasi vetëm dy minuta më pas Akansase barazoi shifrat. Pjesa e parë u mbyll pa ndryshime të tjera, ndërsa edhe fraksioni i dytë prodhoi raste për të dyja skuadrat, me Shirokën më kërkuese për golin e fitores, por pa sukses.

Me këtë rezultat, Shiroka dhe Besëlidhja vijojnë të ndajnë vendin e parë me nga 23 pikë, ndërsa ekipi lezhjan ka ende një ndeshje për të rikuperuar. Ndeshja e radhës për KF Shiroka do të luhet në fund të muajit janar 2026.

Shpërndaje